Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se, 2.8 milionë fatura me para në dorë në të gjithë vendin janë lëshuar nga subjektet, në periudhën 16-22 gusht.

“”Saranda treg” që prej korrikut ka filluar procesin e Fiskalizimit. Subjekti operon me fatura të Fiskalizuara për konsumatorët, biznesin, si dhe përdor zgjidhje softuerike”, u shpreh Denaj.

Fiskalizimi është reforma më e rëndësishme që Administrata Tatimore ka ndërmarrë në këto 10 vitet e fundit. Administrata Tatimore thotë se qasja ndaj bizneseve do të jetë jopenalizuese deri më 1 janar 2022, por kjo nuk do të thotë që biznesi duhet të mos përmbushë detyrimet e veta për të qenë në rregull me kërkesat e Fiskalizimit.

Bizneset duhet të kenë përmbushur kërkesat minimale të Fiskalizimit, të tilla si pajisja me certifikatë elektronike, të kenë regjistruar të dhënat e veta në Self-Care, të jenë pajisur me një soft për të lëshuar faturat.

Nëse subjektet do të kenë problematika në kuptueshmërinë e ligjit, në procedurat e tyre të brendshme të lëshimit të faturave, Administrata Tatimore thotë se do të jetë aty për t’i ndihmuar, në mënyrë që këto problematika të tejkalohen dhe pa pasur një qasje penalizuese.

Që prej janarit të këtij viti bizneset që lëshojnë fatura me institucionet shtetërore kanë qenë të detyruara të përdorin sistemin e ri të faturës elektronike. Ndërsa më datë 1 shtator 2021 do të nisë për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, ose siç njihet ndryshe B2C, (Biznes-Konsumator).