Adhuruesit e Lautaro Martinez në kampionatin anglez po shtohen çdo ditë e më shumë, teksa pas interesit të Tottenhamit pak ditë më parë, së fundi në garë është futur edhe klubi tjetër londinez, Arsenali. “Spurs”-at u treguan të gatshëm të paguajnë 80 milionë euro për kartonin e argjentinasit, por Interi refuzoi ofertën, ndërsa vetë Lautaro u pozicionua kundër një kalimi te Tottenham, ndaj Arsenali ka nisur punën pikërisht nga bindja e numrit 10 zikaltër. Sipas mediave angleze, drejtuesit e “topçinjve” kanë kontaktuar me menaxherin e Lautaros dhe i kanë treguar gatishmërinë për të blerë sulmuesin e për t’i ofruar një kontratë 5-vjeçare me pagë prej 17 milionë eurosh bruto në sezon.
Kjo shifër ka joshur jo pak argjentinasin që po merr në konsideratë një kalim në “Emirates Stadium” dhe vetëm pas miratimit nga Lautaro, pritet të nisin negociatat për çmimin e kartonit mes Arsenalit dhe Interit. Nga ana tjetër zikaltrit sapo kanë shitur te Chelsea belgun Romelu Lukaku dhe nuk duan të humbin edhe Lautaron, por kundrejt një oferte joshëse prej të paktën 90 milionë eurosh vështirë se do të bënin rezistencë, pasi me ato para do të mund të hidheshin menjëherë në sulm për të afruar kapitenin e Napolit, Lorenzo Inzigne, i cili është në vitin e fundit të kontratës dhe mund të largohet që këtë verë.