Kush ka menduar se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë një “çift i lumtur” apo po krijojnë një familje të madhe për të ardhur në pushtet, ka gabuar. Tashmë palët kanë “nxjerrë dhëmbët” dhe po “kafshojnë” njëri-tjetrin, për humbjet dhe dështimet, për disfatat e pësuara në shumë qarqe. LSI ka akuzuar PD për vjedhjen e votave dhe për lojërat e saj të pista, të cilat nuk kanë bërë asgjë, por kanë maksimalizuar votat e PD-së, kanë sjellë humbje mandatesh për LSI-në dhe opozitën e lanë me “gisht në gojë” në zgjedhjet e 25 prillit.
Zyrtarë të lartë të LSI-së, pavarësisht sulmeve ndaj kryeministrit Rama, e shikojnë se do të qëndrojnë në opozitë përballë kryeministrit, jo në një strategji të udhëhequr nga Lulzim Basha, siç ndodhi me zgjedhjet e fundit, kur befas LSI u distancua, palët nuk dolën në një koalicion të përbashkët dhe në zgjedhje gjatë fushatës pati shumë probleme. Në shumë qarqe, rezultati i dalë për të dy palët solli një kosto të madhe elektorale, e cila mendohet se ka qenë dhe shkaku kryesor i humbjes. Kjo për faktin se në shumë qarqe mandatet e LSI-së kanë mbetur për pak vota.
Pra në Korçë, në Elbasan, në Tiranë, në Vlorë, e gjetkë, LSI-ja nuk ka mundur të marrë mandatet e saj për një grusht votash, ndërkohë që PD ka disa mijëra vota mbi mandatin që siguronte, çka do të bënte që opozita e bashkuar të kishte një mandat më shumë, LSI të kishte një mandat më shumë dhe kjo do të sillte që Edi Rama të mos ishte sot kryeministër, por të ishte një koalicion i gjerë opozitar i udhëhequr nga PD dhe LSI. Ujërat kanë rrjedhur shumë. Ka shumë turbullirë mes PD-së dhe LSI-së. Ka një mungesë komunikimi, një konflikt, një përplasje.
LSI-ja bën përgjegjës Lulzim Bashën, ndërsa vetë Lulzim Basha e ka drejtuar gishtin nga Ilir Meta dhe aktet e tij të “çmendura” gjatë fushatës elektorale, të cilat i ka quajtur kosto të pallogaritshme, që kanë dëmtuar imazhin e Opozitës dhe fitores së saj në zgjedhje. Dje PD mbylli procesin e zgjedhjes së strukturave, kuptohet pa ndonjë lajm të madh, pa ndonjë habi dhe tashmë pritet që edhe LSI-ja të bëjë një riformatim të saj, pas disa largimeve. Më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë midis dy aleatëve të fortë opozitar të zgjedhjeve, të cilat po shkojnë në Parlament të ndarë për të bërë opozitë ndaj Edi Ramës. Megjithëse ndarja nuk është thjeshtë dhe vetëm mes PD dhe LSI, ka ndarje edhe midis deputetëve të partive të vogla, të cilët kanë filluar “t’i shkelin syrin” Edi Ramës, duke qenë se për shumë vite po qëndrojnë në opozitë.(CNA)