Me rastin e Ditës së Ashures, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot besimtarët bektashinj. Në rreshtat e urimit të tij, kryeparlamentari shprehet se dita e sotme është ajo e shfaqjes së virtyteve më të mira të bektashinjve, një sintezë e vlerave njerëzore; një simbol i bashkimit dhe përpjekjeve për të kontribuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve.

Ai shkruan se nëpërmjet kremtimit të kësaj feste, besimtarët bektashinj u dërgojnë të gjithë kombeve e popujve një kumt miqësie dhe solidariteti për të respektuar dallimet dhe diversitetin.

“Vlerat bektashiane marrin vlera të veçanta në botën e sotme të trazuar edhe nga konfliktet etnike e fetare. Drita dhe mësimet e paqta të besimit u kundërqëndrojnë ekstremistëve, terroristëve dhe forcave të errësirës. T’i lexojmë të gjithë këto mësime të Bektashizmit!”, shkruan ai në fund.

Urimi i plotë i Ruçit: Dita e Ashures është një ndër ditët që shënojnë shfaqjen e virtyteve më të mira të bektashinjve; është një sintezë e vlerave njerëzore; një simbol i bashkimit dhe përpjekjeve për të kontribuar për mirëqenien e të gjithë njerëzve. Nëpërmjet kremtimit të kësaj feste, besimtarët bektashinj u dërgojnë të gjithë kombeve e popujve një kumt miqësie dhe solidariteti; për të respektuar dallimet dhe diversitetin; për të ndarë bashkërisht gëzimet dhe dëshpërimin, të mirën dhe të keqen, përfitimet dhe përgjegjësitë, arritjet dhe mundimet, pasurinë dhe skamien, bekimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Vlerat bektashiane marrin vlera të veçanta në botën e sotme të trazuar edhe nga konfliktet etnike e fetare. Drita dhe mësimet e paqta të besimit u kundërqëndrojnë ekstremistëve, terroristëve dhe forcave të errësirës. T’i lexojmë të gjithë këto mësime të Bektashizmit!

“Dita e Ashures” përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë ku bëhet ëmbëlsira e ashures, simbol i bereqetit, shpërndarjes, unitetit dhe e cila sipas besimit islam, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve.

Dita e Ashures, e cila rrjedh nga fjala “ashr”, që do të thotë dhjetë në arabisht, është një ditë e rëndësishme për sa i përket historisë së profetëve. Ajo përkon me ditën e dhjetë të muajit të parë Muharrem të vitit hixhri.

Sipas burimeve të hadithit, në këtë ditë ka shpëtuar nga përmbytja anija e Hazreti Nuhut dhe ngjarja kur profeti Musa kalonte nëpër Detin e Kuq dhe shpëtoi popullin e tij nga Faraoni.