Nëse do të ishte gjallë, Kobe Bryant do të festonte ditën e sotme 43-vjetorin e lindjes. Për këtë rast, bashkëshortja e të ndjerit, Vanessa Bryant ka bërë një postim prekës në rrjete sociale për Kobe. Ajo ndau në Instagram një foto të tyre duke u puthur pas fitores së kampionatit të NBA në vitin 2000 të skuadrës Lakers me të cilën luante Kobe Bryant. “Gëzuar ditëlindjen, Papi. Të dua përgjithmonë, dashuri e përjetshme”, shkruan Vanessa përkrah fotos.
Ka kaluar më shumë se 1 vit nga koha kur Kobe Bryant ndërroi jetë bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare, Gianna, dhe 7 persona të tjerë për shkak të një aksidenti tragjik me helikopter. Që nga ai moment, Vanessa bashkë me vajzat e saj, Natalia, Bianka dhe Capri, ka nderuar herë pas here Kobe dhe Gianna-n.
Për Ditën e Baballarëve në muajin qershor, Vanessa postoi një foto të vjetër të familjes së tyre të bashkuar. “Për babain më të mirë të vajzave. Gëzuar Ditën e Baballarëve, Papi. Të duam përgjithmonë dhe gjithmonë. Të duam përgjithmonë, Nani, Gigi, B.B, Koko dhe VB”, shkroi Vanessa.
Gjithashtu ajo mbajti një fjalim shumë prekës në një event në nder të Kobe Bryant në “Naismith Memorial Basketball Hall of Fame”. “Më parë e shmangia lavdërimin e bashkëshortit tim në publik, sepse më duk se merrte mjaftueshëm lëvdata nga fansat e tij nëpër botë dhe dikush duhej ta sillte me këmbë në tokë. Tani jam e sigurt se ai po qesh në parajsë, sepse tashmë do e lavdëroj publikisht për arritjet e tij në një nga skenat më popullore.
Do të doja shumë që bashkëshorti im të ishte këtu për të marrë këtë çmim të jashtëzakonshëm. Ai dhe Gigi meritojnë të jenë këtu për ta parë këtë gjë. Gigi do të ishte shumë krenare nëse do të shihte babanë e saj duke marrë çmimin në Basketball Hall of Fame. Kobe mezi po e priste që të ishte këtu. Ainuk fliste shumë për çmimet që do të merrte, por e përmendi këtë çmim një javë para se ai dhe Gigi të ndaheshin nga jeta”, u shpreh Vanessa gjatë fjalimit të saj, duke prekur zemrat e gjithë të pranishmëve në sallë.