Nga Alfred Peza

Për opozitarët tanë, nuk ka aspak rëndësi se çfarë lloj debatesh hapin, por vetëm që ato të mbajnë sa më larg prozhektorët e opinionit publik nga halli i tyre. Për propogandën e tyre, nuk ka fare rëndësi e vërteta rreth temave që tjerrin, por vetëm që filli i tyre, të shjkojë sa më larg lëmshit të kryeproblemit të tyre. Për mediat opozitare, nuk ka fare rëndësi dobia publike e zhurmës që krijojnë, por vetëm fshehja pas saj e gozhdës ku janë kryqëzuar.

Nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti dhe deri në shtator kur të nisë punimet Parlamenti i ri, kryeçështja në këtë vend, është qëndrimi i opozitës ndaj vendimit të SHBA pas futjes në listën e zezë të Sali Berishës dhe familjes së tij. A do ta largojë PD, liderin e saj historik nga grupi parlamentar, apo jo. Kaq. Këtu fillon dhe mbaron kryehalli i opozitës, e përtej kësaj, të gjitha gjerat e tjerat janë veç “dokrra hini”.

Ky është problemi Nr. 1 që ka sot PD dhe opozita në raport me veten, me shqiptarët dhe SHBA. Largimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD është një çështje e shtruar për zgjidhje, jo pa afat, por brenda një muaji. Vendimi duhet mare, deri në seancën e parë të Kuvendit më 9 shtator, asnjë minutë më vonë. Në të kundërtën, “do të ishte ironi histoike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë (PD), nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”,- ka deklaruar Yuri Kim.

E në vend që strukturat drejtuese të PD dhe lidershipi i opozitës të ndërpresi pushimet e të mblidhet për të marë një vendim të qartë, të gjithë kanë futur kokën ose në çadër, ose në rërë apo ujë dhe bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur. A thua se shtatori nuk është në prag, gati për të trokitur, por një shekull larg.

Kur i sheh të gjithë sikur ua ka ngrënë macja gjuhën për kryeçështjen që i mundon, të vjen për të qeshur e për të qarë teksa rreken të flasin për “yjet”, ndërkohë që ndodhen në prag të humnerës. Por kur ua di hallin e nuk ua qan dot, nuk u vë aq shumë faj, përderisa Sali Berisha i ka hedhur dorashkën e sfidës vetë SHBA. E ta mendosh se e ka ftuar superfuqinë globale publikisht në duel, pasi nuk pranon të zbatojë standardin e kërkuar nga PD, për kundërshtarët politikë që ishin shpallur para tij “non grata”.

E në vend që të fokusohen tek gjëma që u ka rënë, e të qajnë me njëri tjetrin dhe shqiptarët kryehallin e tyre, janë gati të shkojnë në një luftë absurde virtuale me këdo e për gjithçka tjetër. Me shpresën se kësisoj koha mbase do i ndihmojë që ta harrojnë, edhe dhimbjen, edhe plagën e pashërueshme. Duke harruar se kjo është nga ato të vetmet halle, që sa më shumë të bësh sikur nuk e ke, aq më shumë të tërheq brenda vorbullës së saj.

Ndaj i sheh këto ditë opozitarët e internetit, rrjeteve sociale, mediave online e atyre tradicionale, që të debatojnë sa të mundin;

Herë për zjarret e kësaj stine temperaturash të pazakonta. Herë për koncertin e Goran Bregoviçit në festën e një birrë në qytetin e Korçës. Herë për nismën e liderëve të rajonit “Open Balkan”. Herë për aksidentet rrugore. Herë për rojet bregdetare. Herë për çështjet e turizmit. Herë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar. E kështu pambarimisht…

Nuk ka rëndësi për ta, nëse debatit zhvillohet këtu apo në Kosovë, e rëndësishme është vetëm që të kritikohet herë Shqipëria, herë qeveria, herë ministrat, herë PS, herë Edi Rama e herë herë edhe mazhoranca në tërësi.

Ashtu si Albin Kurti po nxit të vetët në debatin për koncertin e Bregoviçit, me shpresën se do i fshihet problemeve që ka me perëndimin dhe qytetarët e Kosovës për shkak të cilësisë së qeverisjes, edhe opozitarët tanë po meren me gjithçka tu dali përpara, me shpresën se kësisoj do ti ikin kryehallit që i ka zënë me Sali Berishën.

Urtësia popullore ka dhënë gjithmonë përgjigje, për çdo situatë, sikundër edhe për këtë ku ndodhet PD dhe aleatët e saj sot. “Kur nuk ke se çti bësh gomarit, i bie samarit”, është diçitura që i shkon më së miri, përpjekjes që po bëjnë këto ditë për ti ikur kryehallit të tyre. Por e kanë të kotë. Pa hequr “gomarin” që u ka zënë rrugën, kali i opozitës, nuk do të mbërrijë kurrë në destinacion!