Rreth 78 mjekë të rinj, të specializuar në fusha të ndryshme janë punësuar gjatë këtij viti në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake pas procesit të përzgjedhjes së vendeve, me përfundimin e ciklit 4-vjeçar të specializimeve në Mjekësi.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu solli sot shembullin e dr. Erjola Xhindoli, e diplomuar për Mjekësi dhe Kirurgji në Universitetin e Pavias në Itali, e specializuar për Pneumologji.
Manastirliu informoi se dr. Xhindoli sapo është punësuar në Spitalin Rajonal të Elbasanit, pjesë e ekipit prej 78 mjekësh specializantë, të punësuar gjatë këtij viti.
Mjekët e rinj janë punësuar edhe në Spitalin Memorial Fier, Spitalin Rajonal Durrës, Dibër, Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Kukës, Korçë, Lezhë dhe në spitalet bashkiake Pogradec, Mirditë, Sarandë. Që prej rifillimit të specializimeve në Mjekësi në vitin 2014, më shumë se 200 mjekë specialistë me kontratë me MSHMS janë punësuar në spitalet rajonale dhe bashkiake në vend.