Sot në orët e mesditës, një vatër zjarri rrezikoi të përhapej me shpejtësi dhe mund të sillte pasoja të rënda në kurorën e gjelbër të Tiranës, pranë Fakultetit të Gjeologjisë dhe objektet afër tij.Flakët u konstatuan nga punonjës të Gardës së Republikës, me shërbim aty pranë. Menjëherë janë angazhuar forca të shumta për të izoluar zjarrin.
Më herët, përgjatë zonës së pyllëzuar në kufirin rrethues të objekteve të Gardës ishin vendosur depozita me ujë dhe një autobot qëndron në gatishmëri, për të parandaluar çdo situatë emergjence, në këto ditë temperaturash të larta. Nuk është ende e qartë si ka rënë zjarri, por ky është një rast për një apel për çdo qytetar që frekuenton zonën, të tregohet shumë i kujdesshëm për të eleminuar shkaqet që mund të provokojnë flakët. Kushtet atmosferike ditët e fundit, e bëjnë të vështirë ndërhyrjen në shumë raste, për shuarjen e tyre.