Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, deklaroi sot se në 7 mujorin e viti 2021 janë rritur eksportet e produkteve të peshkut me 29,3 %.

“Këtë 7-mujor eksporti i produkteve të peshkut ka patur një rritje në vlerë prej 29,3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, shprehet ministrja. Në një tabele grafike, ministrja Ekonomi, publikoi shifrat e eksportit të produkteve të peshkut ku janë 3,271 milionë lekë për periudhën janar-korrik 2020, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti janë 4,228 milionë lekë. Sektorit të peshkimit vitet e fundit i janë krijuar një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit.

Ndërsa investimet të kombinuara më kërkesën në rritje të tregut të huaj, kanë sjellë që eksporti i peshkut të shënojë rritje të ndjeshme vitet e fundit. Rritja e eksporteve në këtë segment erdhi pas zgjerimit të investimeve, falë mbështetjes së programeve që adresoi qeveria për financimin e industrisë së peshkut. Sot eksporti i peshkut ka shënuar një rritje të shumëfishtë. Në krahasim me 2013-ën eksportet janë rritur 4 herë më shumë. Në 2013 u eksportuan 1705 tonë, ndërsa në 2020 8219 tonë.