Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana në një intervistë për mediat ka folur në lidhje me sfidat dhe sukseset e tij në 2 vite punë si kryetar. Arbana ka theksuar se që në fëmijëri është njohur me frymën e punës, kur ndihmonte me sa mundej babain e tij, i cili punonte në biznesin familjar. Ka studiuar në Turqi, pas olimpiadave të fituara gjatë klasës së 8-të në matematikë ku mundi të fitoi bursë. Por kjo nuk e ndaloi që të rikthehet në Shijak dhe të japë më të mirën për qytetin e tij.
Nga 1 gushti i vitit 2019 është zgjedhur si kryetar i bashkisë Shijak, ku ka punuar çdo ditë i fokusuar në zgjidhjen e problemeve dhe dhënien e shërbimeve më të mira ndaj qytetarëve. Arbana tregon momentin e parë të rënies së tërmetit të 26 nëntorit të 2019 dhe si u menaxhua ajo situatë më pas nga ana e tij dhe institucionit që ai drejton.
Gjithashtu Kryebashkiaku deklaron se 80 përqind e Shijakut po rindërtohet nga e para, për shkak të tërmetit. Arbana shprehet se deri tani janë ndërtuar 800 banesa individuale dhe po vazhdon puna për ndërtimin e 30 pallateve të cilët janë drejt përfundimit, kanë mbaruar 4 objekte arsimore dhe një kopësht. Gjithashtu nuk janë lënë mënjanë punët e tjera që kanë qenë nisur, këtu vlen për të përmendur asfaltimin e rrugës Katërrugët- Rrushbull, Katërrugët-Pjezë, disa rrugë të tjera brenda qytetit dhe infrastruktura e ujësjellësit, falë mbështetjes së Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare.” Përsa i përket projekteve të rëndësishme në të ardhmen, Arbana thotë se shumë shpejtë do të nisë ndërtimi i një Qëndre Kulturore multifunksionale, ndërtimi i xhamisë së Shijakut e cila është e dëmtuar nga tërmeti dhe dy objekteve arsimore të reja nga UNDP-ja.