Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi nga Tokio se mbështetja për sportistët shqiptarë do të vijojë edhe pas Lojërave Olimpike. Në një intervistë televizive Veliaj deklaroi se në Tiranë do të nisë grumbullimi i skuadrës olimpike për të bërë planin e mëtejshëm për të avancuar në disiplina të ndryshme sportive. “Menjëherë sapo të kthehem në Tiranë do të kemi një grumbullim të skuadrës olimpike për të bërë planin se si do avancojmë më tej. Plani është ky: Ne kemi në nëntor kampionatin botëror të peshëngritjes dhe jam i sigurt që Brikeni atë kilogramin apo edhe Erkandi në peshën e vet do ta rikuperojnë. Ndërkohë, Matvei do të vazhdojë të gjithë garat e tjera që janë parashikuar, si evropiane dhe botërore sepse edhe ai për 0,001 pikë në gjimnastikë, do dilte në finale. Kështu që do të vazhdojmë fillimisht trajtimin dhe jemi në negociata me disa qendra grumbullimi në Evropë, kryesisht në Itali, sidomos në pjesën e peshëngritjes”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se vitin e ardhshëm Tirana do të mikpresë Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rinj. “Vitin tjetër, duke qenë se do jemi Kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe duke qenë se peshëngritja është një ndër sportet ku ne kemi avancuar më shumë, Tirana do jetë po ashtu mikpritëse e Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për të rinj. Plani është të fillojmë grumbullimet për garat evropiane dhe botërore dhe vitin tjetër Tirana të mikpresë peshëngritësit e rinj nga e gjithë bota”, nënvizoi Veliaj. Gjashtë vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka rritur mbështetjen për sportistët, ndërsa një vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe shtimit të terreneve sportive me qëllim masivizimin e tyre.