Roma vazhdon të jetë në kërkim të një mesfushori. Xhaka, aq shumë i dëshiruar nga Mourinho, është një pistë e mbyllur, pasi mesfushori shqiptar ka vendosur të rinovojë kontratën me Arsenalin, që duket se u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të tij ekonomike. Shumë gjëra kanë ndryshuar brenda pak më shumë se një muaji. Drejtori sportiv i verdhekuqve, Tiago Pinto, duhet të kërkojë zgjidhje të tjera. Një nga profilet e marra në konsideratë është mesfushori holandez i Alkmaarit, Teun Koopmeiners, që kërkohet gjithashtu me ngulm nga Atalanta. Klubi bergamask pritet të shesë Romeron te Tottenhami për 50 milionë euro, kështu që i ka resurset ekonomike për të siguruar kartonin e mesfushorit holandez, për të cilin e ka rritur ofetën deri 15 milionë euro, plus tre të tjerë në formë bonusesh.
Pinto i Romës, pasi mbylli blerjen e Shomurodov në një kohë rekord, tani po vlerëson situatën e talentit të Sampdorias, Damsgaard, protagonist në Kampionatin Evropian me Danimarkën. Përveçse nga Roma, lojtari pëlqehet edhe nga Juventusi dhe klubet angleze si Evertoni dhe Liverpooli. Ferrero kërkon 25 milionë euro, lojtari ka rifilluar stërvitjen në Sampdoria me trajnerin e ri D’Aversa, por ai është në merkato. Presidenti i Sampdorias, Ferrero, është roman dhe ka një dobësi për Romën. Katër vjet më parë ai shiti te klubi verdhekuq Patrik Schick, i cili shpërtheu në Kampionatin Evropian pasi doli i tepërt te Roma. Tani Ferrero është i bindur se mund t’i japë Mourinhos një lojtar të madh: “Damsgaard është mesfushori që i nevojitet. Nëse më telefonojnë, do të bëjmë një marrëveshje. Damsgaard është më i fortë se Xhaka”, është shprehur Ferrero Në fakt, danezi është një lojtar me karakteristika të tjera. Me Danimarkën ai luan mesfushor sulmues ose sulmues, por mund të jetë edhe mesfushor i pastër. Sampdoria duhet të arkëtojë para e në ketë rast kërkesa e Ferreros fillon me 25 milionë euro: “Le të ulemi, thjesht më telefononi dhe do të gjejmë një zgjidhje. Xhaka nuk shkon te Roma, kështu që ata kanë nevojë për një mesfushor tjetër. Unë dua që ai të shkojë në Romë, jam roman dhe Damsgaard do të ishte një përforcim i madh”, – këmbëngul presidenti i Sampdorias.