Automotoparku i parë shqiptar, që po projektohet për t’u ndërtuar në Elbasan, do të materializohet nën kujdesin e vetë FIA.
Me porosi direkte të Presidentit të FIA, Jean Todt, u zhvillua takimi zyrtar prezantues mes DPSHTRR dhe përfaqësuesve të FIA.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhja tha se Automotopark përbën një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motorsportit.
“Cirkuiti i parë shqiptar do të ketë një pistë rreth 5 km dhe një sipërfaqe prej mbi 500 mijë m2 në qytetin e Elbasanit sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK. Do të përmbajë qendër eventesh, muze e atelier RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom, akademi motosporti dhe akademi edukimi mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë jashtë rruge, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta”, bëri të ditur Gonxhja.
Sipas Gonxhes, investimi përfshin edhe kompleksin e ri të DRSHTRR Elbasan me Qendrën e re të Kontrollit Teknik (kolaudimi), dedikuar shërbimeve të transportit rrugor.
Projekti do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare.