Gazetari dhe analisti Frrok Çupi, ka zbërthyer heshtjen e presidentit Meta dhe qëndrimet e ish-kryeministrit Sali Berisha për situatën në Afganistan.

Në një intervistë për gazetën “SOT”, ka deklaruar se dyshja Meta-Berisha as në ëndërr nuk e prisnin të vinte një situatë e tillë. Sipas tij, ata presin që SHBA të shpërbëhet dhe pastaj të kthehen si talebanët për të kapur Shqipërinë.

Megjithatë Frrok Çupi shprehet se ata e dinë rrezikun e SHBA dhe tani kanë nisur të bëjnë gati paratë e pasuritë dhe të arratisen si presidenti afgan, i cili mbushi një helikopter me para.

Po ashtu ai ka treguar se si Berisha takoi Bin Laden dhe celulat terroriste që ngriti në vendin tonë.

-Zoti Çupi, qeveria shqiptare i ka thënë “PO” strehimit të qindra afganëve, që janë nga të parët në listat e ekzekutimeve, pas ardhjes në pushtet në Afganistan të talebanëve. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë qenë të unifikuar sa i takon kësaj çështje, duke pranuar faktin se afganëve që iu rrezikohet jeta dhe që kanë qenë bashkëpunëtorë të amerikanëve e NATO në Afganistan, duhet t’iu jepet një mundësi dhe mbështetje. Por ndërkohë ajo që bie në sy në këtë debat, është fakti se nuk ka asnjë reagim nga presidenti Ilir Meta.

Ilir Meta, tani pasi Amerika “u mund” në Afganistan, po hedh kartat; ju e dini çfarë është kjo… Kjo është të të vijë fati në letra. Është një ditë që as në ëndërr nuk e kanë shpresuar, si Meta edhe Berisha. Këta e duan që Amerika të shuhet brenda ditës, se pastaj e dinë vetë si kthehen njësoj si talebanët. Megjithatë, akoma janë si të mpirë, ende nuk mund ta besojnë këtë “fat të madh”. Këto letra po luan Ilir Meta me heshtjen e tij tragjike ndaj aktit politik e human të Shqipërisë që hap dyert për njerëzit e rrezikuar nga Afganistani. Akoma ky nuk e di se ç‘rrjedhë do të marrin ngjarjet. Mund të fitojnë aleatët e talebanëve- sipas tij- atëherë pse t’ia mbyllë dyert vetes në drejtimin për nga këta aleatë, që natyrisht nuk janë amerikanët, as perëndimorët. Është njësoj si një personazh në letërsinë e Ismail Kadaresë. Ishte fundi i Luftës së Dytë. Klasat e përmbysura nga regjimi i ri i pas-luftës, as që mund ta besonin se “përmbysja ndodhi”. Atëherë personazhi, plaka Nurihan, e frikësuar në një bodrum, hidhte letrat e fatit dhe i dilte se regjimi i ri nuk rron as tre muaj…, pastaj i dilte se “as gjashtë muaj”, pastaj do të “binte në tre vjet”… Ja kështu edhe me Ilir Metën.

– Nga ana tjetër pavarësisht se ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur me sforco vendimin e palës shqiptare për të strehuar afganët e rrezikuar nga talebanët, ka zëra se ish-lideri demokrat ka një afeksion dhe kimi me talebanët. Thuhet se më 9 prill të vitit 1994 ka pasur një takim mes Bin Ladenit dhe ish-presidentit Berisha në Tiranë. Keni ndonjë dijeni për këto pretendime dhe a ka ndodhur vërtet kjo gjë?

Po, kjo është e njohur botërisht: Bin Laden ka vizituar Shqipërinë më shumë se një herë. Ai është mirëpritur nga presidenti i kohës, Sali Berisha dhe së bashku kanë biseduar e vendosur për krijimin dhe zhvillimin e celulave terroriste të kontrolluara nga Bin Laden. Menjëherë sapo Berisha ka marrë pushtetin, në vendin tonë janë vendosur celulat e Al Qaedës, militantët e tyre janë stërvitur në vendin tonë, që nga Dajti, Kune e Vain, Bulqizë, Librazhd, Qerret, e në rrethina të tjera. Në vitin 1992, sapo erdhi në pushtet, Berisha e ankoroi vendin tonë në Konferencën Islamike, ku thuhet se mori edhe një dhuratë të madhe financiare, diku te 30 milionë dollarë. Miqtë e tij më të mirë në atë kohë ishin princi i Bahreinit (ku zhvillohej terrorizmi islamik kapital) dhe diktatori i Malajzisë, Mahathir Mohamad. Është tragjik një fakt: Të gjithë dëshmitarët dhe bashkëpunëtorë të Berishës në atë ngjarje, kanë vdekur në të njëjtën mënyrë: Të helmuar në të njëjtin spital në Itali: Bashkim Gazidede që mori edhe postin e përfaqësuesit islamik në Shqipëri; Faik Hoti, deputet si dhe ambasadori i Shqipërisë që ndodhej prezent. Ndërsa Osama bin- Laden, për të cilin bëhet pyetja, në Tiranë ishte në “kopshtin” e tij aq kohë sa Berisha ishte në pushtet. Që në fillim të viteve ‘92-‘93 në Shqipëri filluan të vepronin një numër organizatash islamike të lidhura me terrorizmin. E para ishte Organizata Ndërkombëtare e Ndihmës Islamike. Më vonë hapën selitë e tyre Fondacioni Al-Haramain, Taibah Internatiol, Global Relief Fund, Benevolence International Foundation dhe Revival Islamic Society. Në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, viti 1997, thuhej se numri i përfaqësuesve të organizatave islamike në vend kishte arritur në ‘95. Të gjitha kishin varësi nga Osama bin- Laden. Të gjitha që vepronin në Shqipëri kishin lidhje me një numër organizatash terroriste, përfshirë Xhihadin Islamik Egjiptian, Grupin Algjerian të Armatosur Islamik, GIA, al-Qaedën, si dhe celula të shërbimit inteligjent iranian. Celula e Xhihadit Islamik Egjiptian, që nisi të vepronte në Shqipëri menjëherë pas ardhjes së Berishës në pushtet, ishte më e rrezikshmja për vendin tonë. Ajo drejtohej nga Mohammedal-Zaëahiri, vëllai Aymanal-Zaëahirit, liderit të Al-Qaedës, atëherë drejtues i Xhihadit Islamik Egjiptian. Pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit u arrestua në Shqipëri në vitin 1998, menjëherë sapo ra pushteti i Berishës. Osama bin Laden ka financuar krijimin e zyrës së Al-Haramain në Shqipëri, e cila u përdor si mbulesë për aktivitetet terroriste në Shqipëri dhe në Evropë. Berisha ka qenë i pranishëm dhe krah në çdo hap…

– A rrezikon që ish-kryeministri Sali Berisha pas shpalljes “non grata” të jetë subjekt i SPAK?

A nuk shikoni CV-në e Berishës? Bashkëpunëtor i kasapit të Ballkanit, Millosheviç, që masakroi shqiptarë dhe serbë; kundërshtar i Amerikës në raport me Kosovën dhe ushtrinë e saj; nxitës i luftës civile në Kosovë në vitin 1999; mi kulisash me kriminelë serb si Arkani; i përfolur si agjent i shërbimeve sekrete në Lindje që nga Serbia; përkrahës i terrorizmit islamik dhe organizatave terroriste; bashkëpunëtor me Osama Bin- Laden dhe organizatat e tij terroriste, shkatërrimtar i ekonomisë shqiptare të krijuar deri në vitin 1990; organizator i luftës civile dhe grushtit të shtetit… A mendoni se kot së koti u fundos në oqean vetë Osama Bin Laden? Ja, për vepra të tilla.

-Po presidenti Ilir Meta rrezikon të ketë fatin e Berishës sa u takon raporteve me amerikanët dhe me drejtësinë?

Si Ilir Meta edhe Sali Berisha tani i kanë vënë punët në vijë, në vijë për t’u arratisur nga vendi. Pas ngjarjeve në Afganistan, ata gjejnë strehë si në shtëpinë e tyre, si në Rusi, në Iran edhe në Kinë. Aq më tepër që kanë modelin e ish-presidentit afgan, Ashraf Ghani; ai iku me një avion plot me dollarë të vjedhura nga populli i tij. Edhe këta, si Ghan, të korruptuar deri në grykë, nuk mund të kenë as mëshirën dhe as besnikërinë më minimale ndaj popullit të tyre që e vodhën dhe e rrënuan. Orën e fundit ata marrin plaçkën dhe ikin. Ja kështu po ndodh. I kanë ndarë rolet: Ndërsa Berisha poston video ku kërcënon edhe Shtetet e Bashkuara se “jam Sali Berisha, nuk tërhiqem unë, o plehra, o çakej…”, ndërsa Meta ka ulur zërin dhe hesht në një bodrum duke pritur çastin… Por janë të ikur.