Nga Mero Baze

Partia Demokratike po përpiqet të nxis një lloj debati denigrues rreth vlerësimit rutinë që faqja e udhëtimeve në Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk ju rekomandojnë qytetareve amerikan udhëtimin në Lazarat, duke e përshkruar si një vend të pasigurt. Debati i nxitur nga opozitarët, nuk ka të bëj me Lazaratin, as me emrin e tij . Debati synon të krijoj idenë e vendimeve të pamatura të SHBA që “u bien më qafë demokratëve”, qysh pas futjes së Familjes Berisha në Listën e Zezë.

Në të vërtet praktika e njoftimeve për vendet e pasigurta brenda një territori nga Departamenti i Shtetit është shumë e njohur. Shpeshherë në atë faqe ne kemi parë që nuk rekomandohen kafene të caktuara në Tiranë, ku ne shqiptarët shkojmë për shtatë palë qejfe, pa asnjë rrezik. Kemi parë njoftime për mos shkuarje në qendra biznesi, ku ne shqiptarët shkojmë për qejf. Shpesh herë jemi habitur me njoftimet. Kjo vjen nga fakti se ato njoftime nuk bëhen për ne, por për qytetarë amerikan, për të cilët shteti i tyre ka standard tjetër sigurie. Por nuk e kemi parë ndonjëherë PD të reagoj ndaj atyre njoftimeve.

Debati rreh futjes së Lazaratit në këtë listë, po bëhet për qëllime politike. Përpjekja për ta zhvlerësuar atë, nuk ka të bëj as me rrezikun që mund të ketë dikush në Lazarat as me arsyet që kanë bindur Departamentin e Shtetit për ta futur në atë listë. Arsyet lidhen me Sali Berishën dhe mbrojtësit e tij, të cilët nuk lënë rast pa përdorur që të shtojnë hartën e njerëzve apo vendeve që janë “të pakënaqur” me vendimet e SHBA, qysh pas futjes së berishëve në Listën e Zezë. Ky debati për Lazaratin është fiks një përpjekje për t’ia bashkëngjitur vendimit të Berishës, dhe për ta konsideruar madje si hakmarrje meqë është vatër besnike e Berishës. Aq besnike sa ka votuar dhe Tritan Shehun.

Por kjo nuk është e vërtet. Berisha dhe Lazarati janë dy gjëra të ndryshe. Berisha është në listën e zezë, si minues i demokracisë në Shqipëri, si shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe hajdut familjarisht i pareve të shqiptarëve për shkak të shpërdorimit të pushtetit. Lazarati është pasojë e politikës së Berishës që e ktheu atë në një fshat simbol të kultivimit të canabisit, dhe që instrumentalizoi më pas ndërhyrjet e policisë kundër kultivimit duke i quajtur si hakmarrje politike meqë mbështesnin Berishën.

Berisha po e bën për herë të dytë këtë gjë. Më 2015, kur policia ndërhyri të çlirohej Lazarati nga grupet kriminale që e mbanin peng dhe ti kthehej normalitetit, Berisha e quajti atë hakmarrje ndaj një fshati që mbështeste Berishën. Të njëjtën gjë po bën tani dhe me listën rutinë të Departamentit të Shtetit.

Në rastin e parë synonte ti përdorte si mish për top kundër Edi Ramës, tani synon ti përdor si mish për top kundër SHBA.

Kjo është fyerja reale që i bëhet Lazaratit, nga një njeri që mendon se ata kanë lindur të vdesin dhe poshtërohen për Sali Berishën.