Deri më tani gati 5 miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19 janë injektuar në të gjithë botën. Fushata e imunizimit e cila filloi gati nëntë muaj më parë tregon sasinë e konsiderueshme të vaksinave të shpërndara globalisht. Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Our World Data janë administruar 4.93 miliardë doza dhe gjatë ditëve të ardhshme kjo shifër vlerësohet se do të arrijë në 5 miliardë. Disa vende kanë filluar të rekomandojnë për qytetarët e tyre të marrin një dozë të tretë përforcuese për shkak të shqetësimeve nga varianti Delta i koronavirusit i cili është shumë i transmetueshëm.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur vazhdimisht shqetësimin e saj lidhur me shpëndarjen e vaksinave e cila thotë se furnizimi me vaksina mes vendeve të varfra dhe të pasura duhet të jetë i barabartë. Sipas OBSH-së që t’i jepet fund pandemisë si dhe të zvogëlohet rreziku i mutacioneve në të ardhmen duhet që vendet me të ardhura më të ulëta të furnizohen sa më parë me vaksina.
Më herët Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar planet e tyre për të ofruar një dozë përforcuese për qytetarët e saj. Kanadaja, Franca, Gjermania dhe vende të tjera kanë njoftuar gjithashtu për të fushata të ngjashme vaksinimi.