Gazeta “The Guardian,” citon në një artikull të saj fjalën e kryeministrit shqiptar Edi Rama për të pranuar në Shqipëri afganët që po largohen nga vendi i tyre pas marrjes nën kontroll të Afganistanit nga talibanët!

Në një prononcim për ‘The Guardian’, kryeministri Rama është shprehur se ndihet i shkatërruar kur sheh se si ata njerëz janë lënë të braktisur, pasi vetë shqiptarët e dinë se si është të jesh i huaj e të kërkosh strehë, referuar emigrantëve të vendit tonë.

Kreu i Qeverisë shton më tej se nuk e kupton se si vende më të pasura se Shqipëria u kanë kthyer kurrizin afganëve, duke kundërshtuar vlerat që ata vetë predikojnë.

“Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri.

Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë.

Nuk mund ta kuptoj se si vende më të pasura mund tu kthejnë shpinën. Kjo bie në kundërshti me vlerat që ne predikojmë.

Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij”- tha Rama ndër të tjera.

Fluksi i pritshëm afgan sjell shqetësim pasi rihap ndarjet mbi refugjatët në Evropë, ndërkohë që sipas “Guardian”, Shqipëria dhe Kosova pranojnë kërkesën e SHBA për të pritur përkohësisht refugjatët politikë.