Tuneli i Skërficës, pjesë e aksit të ri rrugor Kardhiq-Delvinë, është hapur plotësisht pas përfundimit të gërmimeve në të gjithë gjatësinë e tij dhe tashmë po punohet për plotësimin e të gjithë elementëve të tjerë të nevojshëm të kësaj vepre.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot ecurinë e punimeve në këtë tunel, duke përshkuar me automjet gjithë gjatësinë prej 1316 metrash të tunelit të Skërficës, ku tashmë do të punohet për betonimin, hidroizolimin, ajrimin, asfaltimin dhe gjithë komponentët e tjerë që do ta bëjnë këtë tunel të përfunduar.
“Puna ka arritur deri në 65% të volumeve dhe ne sot bëjmë kalimin për herë të parë me automjet të tunelit të Skërficës”, tha Balluku.
Po ashtu, Balluku theksoi se kanë përfunduar edhe punimet që bëjnë lidhjen e tunelit kryesor me tunelin e emergjencës, i cili ka një gjatësi prej 670 metrash.
Balluku informoi se në tunelin e emergjencës kanë ngelur për të kryer 100 metrat e fundit dhe në krye të 1 jave do të jetë gati.
“Tunelet ndihmëse janë të detyrueshme në rastet kur kemi tunel me 1 tub, pra 1 rrugë me 2 kalime. Ne jemi të detyruar të kemi një tunel emergjence që bashkëshoqëron tunelin kryesor”, tha Balluku.
Ministrja theksoi se rruga Kardhiq-Delvinë është një nga akset më të rëndësishme që ne kemi pasur këto kohë në mbikëqyrje.
Me një gjatësi prej 33 km, rruga Kardhiq-Delvinë përbëhet nga 8 lote. “Lotet 1, 2 dhe 3 kanë përfunduar, ndërsa në lotet 4, 5 dhe 6 janë kryer mbi 93% e punimeve. Tuneli i Skërficës është një nga veprat më të rëndësishme të këtij aksi, pasi lidh dy rajone, atë të bregut me Gjirokastrën dhe Tepelenën. Kjo rrugë do të jetë një nga indikatorët e rëndësishëm për nxitjen e ekonomisë të tregut, sidomos turizmit”, tha Balluku.
“Shpresojmë të përfundoj para kontratës që është gusht 2022. Kemi marrë një premtim që do ta dorëzojnë gjatë muajit qershor 2022, duke e bërë të aksesueshëm për turistëtëgjatë pushimeve verore”, shtoi ajo.
Tuneli i Skërficës me gjatësi 1316 metra është një nyje lidhëse e rrugës strategjike Kardhiq-Delvinë, për zhvillimin e turizmit në bregdetin e jugut dhe Sarandës.