Bahrejni ka vendosur të hapë aeroportet për fluturimet me të cilat po evakuohen njerëzit nga Afganistani, e të njëjtën gjë do të bëjnë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që u zotuan gjithashtu të strehojnë përkohësisht refugjatët afganë, teksa Shtetet e Bashkuara po përballen me hapësira të mbingarkuara me të evakuuar në Katar. Njoftimi vjen një ditë pasi fluturimet e evakuimit nga Kabuli u ndaluan përkohësisht për të lejuar pikat e dërgimit që të stabilizojnë situatën me personat e nisur atje.
Hapësirat amerikane në bazën ajrore Al-Udeid në Katar janë mbushur shpejt, ndërkohë që Uashingtoni tenton të përfundojë më 31 gusht misionin e tërheqjes së forcave amerikane, të huaja dhe shtetasve afganë që mund të largohen nga Afganistani, thotë REL.
Bahrejni, ku gjendet flota e pestë e SHBA-së, ka e bëri të qartë se “do të lejojë fluturimet tranzite përmes tij”, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arbane theksuan se do të strehojnë 5,000 afganë “para se ata të nisen në shtetet tjera”. Dhjetëra shtetet janë pajtuar të strehojnë përkohësisht afganët, sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, e mjaft të tjerë kanë rënë dakort të shërbejnë si pika tranziti për të evakuuarit.