Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur gjatë festimeve të 35-vjetorit të Partisë Socialiste në sheshin përpara Stadiumit Kombëtar, foli për sfidat e zhvillimit të vendit, investimet strategjike, mbrojtjen e mjedisit dhe vizionin e Shqipërisë për të ardhmen.

Ai theksoi nevojën për debat demokratik, por kundërshtoi atë që e cilësoi si paragjykim ndaj projekteve të mëdha zhvillimore, teksa këmbënguli se Shqipëria është futur në mes të një lufte kundër presidentit Trump.

“Në fund, më lini të kthehemi te ne. Jemi në një moment kur ajo që po ndodh me shumëkënd që nuk del në protestë apo që nuk e mbështet atë protestë për ndonjë parti të vjetër, të re apo edhe në bark të bulevardit, fatkeqësisht po krijon një lloj sakëlldie ndaj nesh. Kjo duhet të na shqetësojë ne, prandaj zgjedhjet e radhës në parti duhet t’i ushqejmë me një proces të ndershëm për ata njerëz që kanë nevojë të shohin një perspektivë të qartë, të cilën e ka vetëm Partia Socialiste.

Të gjithë duhet të kuptojnë se kjo që po ndodh nuk është vetëm ajo që duket, por është shumë më delikate dhe më e rëndësishme për të ardhmen sesa një investim në Zvërnec. Pa llogaritur ulërimat dhe zhurmat e një kategorie njerëzish që kujtojnë se u bë deti kos. Një grup karnavalesh, të dëgjuar për shumë arsye, kanë dalë si kërpudhat pas shiut për të ngushëlluar paaftësinë e tyre dhe pamundësinë për të dhënë shumë më tepër.

Kjo është shumë më e ndërlikuar se kaq. Ky është investimi më i madh që i ka ardhur Shqipërisë në historinë e saj dhe ky vend nuk e ka luksin, kurrsesi, ta refuzojë. Natyrisht që për këtë investim ka vend për debat dhe vigjilencë; kjo është e drejtë dhe demokratike. Por ajo që nuk është e drejtë dhe nuk është e tolerueshme është që sa herë guxojmë të kemi një ambicie të madhe, ajo shpallet krim para se të projektohet, sapo thuhet, sapo artikulohet.

Çdo përpjekje për zhvillim bëhet armike e natyrës. Natyra nuk mbrohet duke mbajtur një vend të varfër. Na thonë të mbrojmë Vjosën se është i vetmi lum i egër, ndërkohë që ata i kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre. Sfida jonë është të respektojmë dhe të mbrojmë natyrën duke u zhvilluar. Ne nuk jemi budallai i lagjes. Shqipëria i ka të gjitha ato që i duhen dhe ajo që duhet shtuar është guximi për të ëndërruar më fort dhe kuraja për të përballuar investime të tilla të mëdha.

Një përplasje mes të mëdhenjve nuk është puna jonë. Nëse bota do të ishte kaq e ndjeshme, do të kishte thënë diçka për Rrjollin. Këtu fjala nuk është për flamingot, Zvërnecin apo ndonjë gjë tjetër, por për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata nuk mund t’i përdorin shqiptarët si ‘mish për top’.

Ne na duhet sa më shumë turizëm elitar, sepse çdo lek që vjen është dyfishi i asaj që futet në ekonominë e komunitetit dhe të vendit. Këta turistë vijnë me shumë para, pak trafik dhe pak plehra. Shqipëria nuk mund të mbetet vetëm me turizmin masiv, nuk mund të mbetet pas Greqisë dhe Malit të Zi. Shqipëria është e thirrur vetëm që të hapë portën.

Ky vend ka disa bekime, që ua detyron të parëve tanë; i detyrohet besës dhe mikpritjes. Gjyshërit tanë nuk i dorëzuan hebrenjtë dhe historia e shqiptarëve është ajo e njerëzve që, përtej feve, kanë zotëruar respektin për tjetrin dhe për mikun”, u shpreh Rama.