SARS COV 2 siç njihet me emrin shkencor koronavirusi, nuk është krejtësisht i panjohur për mjekësinë, pasi brenda dy dekadave të fundit të dhënat tregojnë se bota ka kaluar edhe dy variante të tjera të ngjashme siç ishin ai SARS COV 1 dhe MERS. Nëpërmjet një studimi të kryer nga Universiteti i Singaporit, imuniteti i përftuar nga SARS COV 1, që goditi globin përgjatë viteve 2002-2005, vazhdon të ruhet te ata që u prekën.
ILIR ALIMEHMETI, EPIDEMIOLOG /“17 vjet mbrapa, personat që kanë kaluar SARS COV 1 atëherë, vazhdojnë dhe reagojnë ndaj SARS COV 1 sot, pra imuniteti është diçka që zgjat dhe me dekada. Nuk mund të themi për SARS COV2 tani sepse s’ka kaluar mjaftueshëm kohë. Kur ne kemi tre viruse që na kanë shkaktuar këtë problem në kaq pak vite, a është e hipotezueshme të kemi dhe diçka tjetër nga kjo familje? Po, është.”
Nisur nga e kaluara, sipas epidemiologëve, nuk përjashtohet mundësia e shfaqjes së një varianti të ri brenda familjes së koronavirusit, e për këtë arsye, duke njohur të dhënat e SARS COV 1 dhe SARS COV 2 dhe ngjashmëritë e tyre, mund të ngrihet diskutimi për zhvillimin e një vaksine universale që do të përballojë këto variante, por edhe ato të mundshmet në të ardhmen.
“Nga studimi është parë që kur i kanë vaksinuar me vaksinat e SARS COV 2 këta pacientë, edhe ata që e kanë kaluar SARS COV 2, por edhe ata që nuk kanë kaluar as njërin as tjetrin, vënë re që rritet përgjigja antitrupash edhe ndaj varianteve të SARS COV 2 (alfa, delta, gama), por edhe ndaj disa viruseve të tjera të së njëjtës familje. Kjo ndodh më shumë te personat që kanë kaluar SARS COV 1 që i përgjigjen tëe gjitha viruseve të familjes. Ka nga ato që kanë kaluar SARS COV 2 dhe nuk i përgjigjen dot SARS COV 1 sepse nuk e njohin.”
Siç sqarojnë edhe ekspertët, imuniteti i krijuar ruhet në qeliza për vite me radhë, por nuk mund të evidentohet me një analizë të thjeshtë.
“Imuniteti vazhdon qëndron dhe ruhet. Janë disa qeliza që rrinë të palca e kockave, nuk i masim dot se s’bëhet me analizë të thjeshtë, por duhet marrë palca nëpërmjet një procedure të vështirë.”
Ndërsa edhe informacioni imunitar i krijuar nga SARS COV 2 i ditëve të sotëm, te të gjithë të prekurit që e kaluan sëmundjes pritet të zgjasë gjatë ndër vite duke u shndërruar në barrierë mbrojtëse ndaj mutacioneve potenciale.