Forcat e Armatosura, ato të pushtetit vendor dhe shërbimit pyjor kanë arritur izolojnë flakët që kërcënonin kurorën me pisha dhe bredh në fshatin Flet në bashkinë Fuzhë-Arrëz.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako duke folur nga fshati Flet u shpreh se në këtë operacion u angazhuan forca nga ajri dhe nga toka.
“Kemi arritur të mundësojmë ndërprerjen e flakëve në këtë vend, për të mos depërtuar më tej në kurorën e fshatit Dardhë, i cili është në pjesën veriore. Vazhdon operacioni nga ajri dhe nga toka”, u shpreh Çako.
“Do të vazhdojë sërish edhe gjatë ditës së nesërme, deri në eliminimin e vatrave të zjarrit, të cilat rrezikojnë seriozisht gjithë këtë arsenal, apo gjithë këtë mushkëri të rëndësishme të veriut dhe veçanërisht të bashkisë së Fushë-Arrëzit”, theksoi Çako.
Pothuajse në të gjitha zonat të konsideruara kritike nga vatrat e zjarrit, qofshin në majën e Runës në Kukës, në fshatin Thirrë të Mirditës apo në Katundin e Ri, Lezhë, Shkodër, në malin e Tërbunit në Pukë, në malin e Shebenikut në Librazhd, pothuajse të gjitha vatrat e zjarrit janë nën kontroll.
Çako u bëri thirrje qytetarëve të rrisin vëmendjen ndaj zjarreve në pyje
“Ajo që duhet t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve, të gjithë banorëve, të gjithë komunitetit. Kjo është një pasuri e përbashkët, është një pasuri e të gjithë shqiptarëve. Lutemi rrisni koshiencën apo dhe vëmendjen tuaj. Në momentin e parë të informimit, të paralajmërimit të hershëm të njoftimit për zjarret, por edhe reagimin, të gjithë së bashku mund t’ia arrijmë të parandalojmë fenomenin masiv të pyjeve, të cilat janë një domosdoshmëri jetike për të gjithë ne”, theksoi ai.
“Ne do të vazhdojmë të luftojmë në mënyrë të paepur me të gjitha forcat tona, qofshin ato operacionale të njësive të pushtetit vendor dhe ato të pushtetit qendror për të eliminuar të gjitha vatrat e zjarrit”, tha Çako.