Nga Alfred Peza
As lëkurët e bronzuara buzë detit e pishinave që hynin një e nga një plot shkëlqim në SHQUP, as koha që kaloi sa hap e mbyll sytë këtë stinë, as shpikja e sekretariateve të reja, as riciklimi i emrave të vjetër dhe as thirrjet e përsëritura drejt një lufte të re imagjinare, nuk i ndezi dot shpresat e fikura prej 8 vjetësh në PD. Lulzim Basha sapo hodhi në këtë mënyrë, hapin e parë drejt 4 viteve të sezonit të ri politik, mes hallesh të vjetra dhe me këmbën e gabuar.
Ftohja përfundimtare me LSI dhe mëritë e vogla publike, të atyre që nuk e panë emrin në listën e madhe, nuk janë pjesë e këtij halli. Ato janë thjeshtë dihatjet, që shoqërojnë ecjen e çartur të një force politike, që ndodhet në udhëkryqin e ekzistencës së vet. Mes shumë alternativash, u pa që Lulzim Basha nuk ka zgjedhur as këtë radhë atë të vetmin dhe më të vështirin shteg, që të çon drejt rrugës së rikthimit të sigurtë në pushtet.
PD ka një kryetar formal, por nuk e ka atë, edhe lider real. Partia më e madhe e opozitës, ka ende mbi kokë “liderin historik”, duke dëshmuar se nuk ka mësuar asgjë nga historia e vet. Edhe opozita e ka një lidership, por ai nuk ka pikën e takatit ta çojë në shtëpi pensionistin Sali Berisha, e jo më të largojë nga pushteti Edi Ramën në kulmin e vet. Lulzim Basha nuk e vrau dot për 8 vjet babain e tij politik, ndaj Sali Berisha u rikthye, për ti vrarë atij ëndrrën kryeministrore.
I vetmi lajm që prodhoi mbledhja e fundit e Këshillit Kombëtar të PD, nuk u artikulua nga asnjëra prej mediave shqiptare, shenjë e qartë se e keqja do vijojë të bashkëjetojë me ne: Sali Berisha nuk do të largohet nga Grupi Parlamentar i PD në shtator! Lulzim Basha as që e shtroi për diksutim ikjen e tij, duke zbuluar se nuk do ta zbatojë ultimatumin që i dha SHBA, poshtë dritares së zyrës në SHQUP.
Ironia e fatit e dashka që PD sot, ti detyrojë opozitarët tanë të hajnë bar pas 30 vjetësh pluralizëm, si dikur shqiptarët në monizëm. Fatkeqësisht, paralajmërimi i Ambasadores së SHBA në Tiranë, doli profetik. Partia që i dha fund izolimit gjysëmshekullor në Shqipëri, vendosi të bëhet antiamerikane dhe të izolohet nga perëndimi, për shkak të hallit personal të Sali Berishës dhe familjes së tij.
Pasi e udhëhoqi për 8 vjet me radhë PD nga ilegaliteti, duke u shtirur si pensionist politik, Sali Berisha ka vendosur që të dali hapur. U rikthye në SHQUP, jo vetëm për të marë pjesë në mbledhjen e radhës në parti, por për të mos u larguar më prej aty. Nga sot e tutje, Sali Berisha nuk do ta drejtojë më opozitën nga facebook në Gjirin e Lalzit, por nga zyra e tij ngjitur me godinën e Parlamentit në Tiranë.
Sali Berisha do të jetë prezent fizikisht e publikisht, brenda bunkerit të PD dhe opozitës shqiptare, në luftë kundër “imperializmit amerikan”. Kjo dëshmon se asgjë nuk kemi mësuar nga historia. Vendin e “Dajë Samit”, e ka zënë “Xhorxh Sorosi”. Armiku i jashtëm është për liderët e PD së sotme, ai që i treguan shqiptarëve të djeshëm, edhe komunistët. Tigri i dikurshëm prej letre kishte pamjen e Nixon, Ford dhe Regan, ndërsa sot ka marë trajtën e Joe Biden, Antony Blinken dhe Yuri Kim.
Pas shpalljes non grata për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”, Sali Berisha nuk preferoi të pastrohej vetë, por vendosi ti hedhi demokratët në luftë me SHBA. Zgjodhi të sfidojë standardin e krijuar, sipas të cilit asnjë politikan që futet në listën e zezë, nuk mer mandat përfaqësimi në Parlament, pushtetin qëndror e atë lokal. Precedenti Adriatik Llallës nuk vlen për Sali Berishën. As kazusi i Tom Doshit që krijoi vetë, përmes kërkesës me shkrim që i dërgoi KQZ, nuk vlen për PD.
Kësisoj kemi arritur në pikën, kur po kuptohet se antikomunizmi komunist, e ka bërë plotësisht punën e vet gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Ndaj fatkeqësisht ashtu siç Majakovski shkruante dikur se “Kur themi partia nënkuptojmë Lenini dhe kur themi Lenini nënkuptojmë partia”, sot “kur themi Partia Demokratike nënkuptojmë Sali Berisha dhe kur themi Sali Berisha nënkuptojmë Partinë Demokratike”.
Madje opozita shqiptare, ka shkuar aq larg, sa edhe vetë Partia Komuniste dikur. Pasi tani kur themi opozita, nuk nënkuptojmë më edhe Lulzim Bashën, edhe Ilir Metën, edhe Monika Kryemadhin, edhe Dashamir Shehin, edhe Shpëtim Idrizin, edhe Vangjel Dulen, edhe Agron Dukën, edhe Fatmir Mediun… Jo. Sepse tani kur themi “Opozita e Bashkuar”, nënkuptojmë vetëm Sali Berishën dhe kur themi Sali Berisha, nënkuptojmë opozitën shqiptare!