Nga Altin Tirana/

Frank G. Wisner, një diplomat i shquar karriere në Shtetet e Bashkuara, dhe i biri i një ndër themeluesve të CIA-s, i sapo emëruar si i Dërguari i Shteteve të Bashkuara për Kosovën, gjatë një darke pune në Tiranë në vitin 2006 pyet të ftuarit, mes të cilëve dhe z. Godo, i emëruar në mënyrë informale nga Qeveria Shqiptare si i dërguar për Kosovën, se kush janë këta shqiptarë që po ngrihen? Kjo pyetje i bëhej të ftuarve nga drejtuesit politik shqiptarë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po përgatiteshin të shpallnin publikisht mbështetjen e tyre për Pavarësinë e Kosovës, tashmë si një politikë zyrtare e Shteteve të Bashkuara. Nëse kjo pyetje do të bëhej këto ditë Gushti, se kush janë këta shqiptarë që Shtetet e Bashkuara investuan që të ngriheshin në një hapësirë të re lirie në Ballkanin Perëndimor dhe shikon zjarrin e ndezur në median sociale këtej e andej shqiptarëve, rreth ftesës së këngëtarit boshnjak, Goran Bregoviç, do të na bënte të skuqeshim dhe si atë darkë, në të cilën pyetja mbeti pa një pergjigje për shkak të befasisë nga erdhi, këtë rradhë s’do mund t’i përgjigjeshim për shkak të turpit që mund të ndjenim.

Por, përtej këtij vajtimi për kadencën e gërricjeve fyese në mediat sociale, duket se tashmë ngjarje të tilla do të na shoqërojnë shpesh e më shpesh, ndërsa tashmë duket se jemi futur në një gjendje tensioni strukturor në marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, të cilat duhen trajtuar në burimin e tyre, në të cilën vizita e Bregoviç shërben vetëm si sebep për shërrin e rradhës. Në morinë e arsyeve që kontribuojnë në këtë kontekst të ri marrëdhëniesh ndërshiptare mund të gjejmë si pikë kryesore përcaktimin ende të paqartë të Vetëvendosjes, nëse do të shërbejë si një alternativë politike për konsolidimin e shtetit të Kosovës apo si një kauzë politike panshqiptare, siç u tregua me pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet politike në Shqipëri në Prillin e këtij viti. Mjafton udhëtimi turistiko-elektoral i Kurtit nëpër Shqipëri gjatë fushatës elektorale, për të kuptuar se ai i ka vendosur tashmë në baza të paqëndrueshme marrëdhëniet midis mazhorancave në dy vendet. Të ndash vizitën e Kurtit si Kryeministër në Tiranë nga ato të një pjesëmarrësi opozitar në garën për pushtet në Shqipëri, është një detyrë po aq e vështirë politike, sa të ndash debatet teologjike mbi natyrën hyjnore dhe tokësore të Krishtit në Bibël në Mesjetën e Hershme.

Shkaku i dytë, jo për nga rëndësia, i këtij tensioni strukturor i paraprin ardhjes së Kurtit në pushtet në Kosovë dhe gjen shprehjen në braktisjen e politikës zyrtare të ekuidistancës me forcat politike në Kosovë, që ka qenë sine qua non i politikës së jashtme shqiptare nën ndikimin perëndimor përgjatë udhëtimit të Kosovës. Nën këtë qasje, politika zyrtare shqiptare përjashtonte çdo rol faktorizimi si aktor në çështjen e Kosovës, duke mbajtur marrëdhënie të mira zyrtare me çdo qeveri në Kosovë, dhe qëndruar e barazlarguar nga çdo forcë politikë në Kosovë. Duket që kjo politikë tashmë është braktisur ngadalë, ndërkohë që procesi integrues evropian dhe mbështetja e amerikane për integrimin europian të rajonit, njohën zbehje gjatë administratës së Presidentit Obama dhe më pas asaj të Trump. Vëzhgues të tjerë mund të shohin këtë si rrjedhojë e pashmangshme e ngadalësimit të procesit të integrimit evropian të rajonit dhe zgjimit të nismave zëvendësuese për një integrim më të afërt ndërmjet vetë vendeve të rajonit. Në çdo rast, një zhvillim i tillë ka trazuar shtratin e mëparshëm të këtyre marrëdhënieve.

Duke u kthyer tek arsyeja e parë, për aq kohë sa Vetëvendosja dhe z. Kurti do të vijojnë ambiguitetin e tyre në lidhje me identitin politik të Vetëvendosjes dhe qasjes së tyre si subjekt politik në marrëdhëniet me Shqipërinë, do të mbetet e pamundur vendosja e marrëdhënieve normale të ngushta të punës mes dy qeverive. Ky tension bëhet edhe më i mprehtë po të lexosh nëntekstin e një identiteti politik të majtë të Vetëvendosjes, që në pjesëmarrjen në zgjedhjet në Shqipëri i ngjan më shumë një qasje politike të një “Vëllazërie Shqiptare”, ku internacionalizmi marksist zëvendësohet nga nacionalizmi panshqiptar. Mund të thuhet pa frikë se z. Kurti i mjaftojnë e teprojnë sfidat me të cilat përballet në Kosovë, ku sapo ka marrë frenat e qeverisjes në një kontekst të një ristrukturimi total të skenës politike në vend, për t’i qendruar larg interferencës në skenën politike shqiptare, një qasje që jo vetëm përbën një pengese objektive në marrëdhënie, patjetër që shihet edhe me dyshim nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Shumë shpejt z. Kurti do të kuptojë se sfidat për një qeverisje të një standardi tjetër të Kosovës, shkojnë shumë përtej angazhimit si djem të ndershëm në luftën kundër korrupsionit.

Po aq punë duket që z. Kurti ka në përvijimin e një profili të qartë të marrëdhënieve që gëzon ai dhe qeveria e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë kryesore të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që, mbetet shumë herët për të folur, duket qartaz që një udhëtim në Washington apo Berlin, do ishte shumë i dobishëm për të qartësuar angazhimin e palëkundur të Qeverisë së Kosovës për marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe qartësuar qëndrimet e qeverisë në politikën e jashtme. Në këtë kuptim, për vëzhguesit e jashtëm mbetet ende e paqartë nëse qëndrimi i z. Kurti në bisedimet me Serbinë përbën një strategji negociuese për të përmirësuar peshën specifike të humbur nga qeveritë e mëparshme apo një qëndrim politik të palëvizshëm, çka do e bënte të kotë gjithë përpjekjen negociuese dhe serinë e takimeve në Bruksel.

Duke u kthyer aty ku e filluam, është në përgjegjësinë e dy qeverive në Shqipëri dhe Kosovë që të arrijnë të përgjigjen bindshëm dhe pa ekuivoke se për çfare duan të njihen shqiptarët në Ballkan në këtë kapitull të ri, ku ardhja e Presidentit Biden në Shtetet e Bashkuara përbën shansin e fundit të një angazhimi të ngushtë e personal të një administrate me Ballkanin Perëndimor, në të cilin drejtues kryesorë të administratës amerikane kanë kaluar me vite shërbimi gjatë karrierës së tyre.