Shtetasit shqiptarë që do të udhëtojnë nga aeroportet e Maqedonisë së Veriut për të hyrë në ndërtesat e terminaleve duhet të paraqesin certifikatë vaksinimi, ose vërtetim se kanë kaluar COVID-19, ose test PCR, ose test të shpejtë.

Lajmin e bëri të ditur ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup, e cila postoi njoftimin e rëndësishëm për udhëtarët.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup, u bën thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që do të udhëtojnë nga aeroportet e Maqedonisë së Veriut se nga dita e djeshme, 22 gusht 2021, për të hyrë në ndërtesat e terminaleve të aeroporteve është e lejuar vetëm nëse tregojnë: certifikatë për vaksinim të bërë kundër Covid-19, ose certifikatë/vërtetim se kanë kaluar Covid-19 gjatë 45 ditëve të fundit, duke e llogaritur nga dita e shërimit ose vërtetim mjekësor me rezultat negativ nga testi PCR jo më i vjetër se 72 orë, ose test të shpejt jo më të vjetër se 48 orë, para hyrjes.

Ambasada thekson se, këto rregulla nuk kanë të bëjnë me personat nën 18 vjeç.