Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi vlerësoi sot kontributin në arsim të mësuese Mirela Shahinit nga Roskoveci. “Sot dua t’ju prezantoj me zysh Mirelën nga Roskoveci, e cila falë aftësive të saj profesionale dhe komunikimit të shkëlqyer me nxënësit, kolegët, drejtuesit dhe përfaqësuesit e komunitetit, ka plotësuar figurën e një mësueseje model”, tha Kushi.
Ministrja Kushi vlerësoi se “me përkushtim dhe pasion të madh, zysh Mirela ka bërë të mundur që nxënësit e saj të jenë pjesë e konkurseve rajonale dhe kombëtare ku kanë zënë edhe vende të para”. “Ndërkohë, si drejtuese e rrjetit profesional të arsimit fillor, ajo është treguar gjithmonë e palodhur për të shkëmbyer përvojat me kolegët e saj. Mirënjohje për punën tënde zysh Mirela dhe shumë suksese në vazhdim”, tha Kushi.