Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar investimet në Spitalin Bashkiak të Sarandës. Duke u ndalur tek shërbimi i pediatrisë, Manastirliu tha se investimet për fëmijët janë në vëmendje të qeverisë shqiptare, me qëllim përmirësim e shërbimeve në kujdesin parësor, maternitete e pediatri. “Në Shtator vihet në funksion pavioni i pediatrisë së re në spitalin e Sarandës, që përkon me linjën e të gjithë investimeve që ne jemi duke bërë për të përmirësuar shërbimet për fëmijët”- tha Manastirliu.
Një tjetër investim në spitalin e Sarandës është laboratori modern, që do të transformojë këtë shërbim. Në kuadër të modernizimit të rrjetit të laboratorëve në spitalet publike, edhe spitali Bashkiak Sarandë do të ketë një laborator të ri të pajisur me aparatura bashkëkohore. “Spitalit të Sarandës do të vijojnë t’i shtohen shërbime të reja, ashtu sikurse në spitalet universitare dhe rajonale janë vendosur në funksion laboratorë të cilët tashmë ofrojnë një gamë shërbimesh shumë të gjerë, rreth 164 analiza ofrohen në këto spitale. Edhe spitali i Sarandës është pjesë e rrjetit të laboratorëve që përfshihen në këtë investim. Prej muajit shtator do të kemi një laborator të ri në këtë spiatal, të pajisur me aparatura bashkëkohore”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se spitali i Sarandës është fuqizuar edhe me potenciale të burimeve njerëzore. “Një nga pikat e tjera është edhe forcimi i spitaleve tona me potencialet njerëzore dhe jam e kënaqur që mjekë të rinj i janë bashkuar spitaleve tona. Në spitalin e Sarandës ne kemi mjekë të rinj, mjek pediatër, mjek kirurg, mjek gjinekolog-obstetër që i janë bashkuar ekipit fantastik të mjekëve të spitalit të Sarandës”- tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë ka shprehur vëmendjen e qeverisë shqiptare për fuqizimi e shërbimeve të spitaleve në zonat bregdetare, me investime në infrastrukturë, pajisje mjekësore moderne dhe mjekë të rinj specialistë, për zhvillimin e turizmit. Në Spitalin e Sarandës është investuar për maternitetin e ri, shërbimin e kirurgjisë dhe brenda muajit shtator përfundon pediatria e re dhe laboratori i ri modern.