Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë në një konferencë për media për qarkullimin e varianteve të reja të Covid-19, situatën e epidemisë ne vend dhe masat AntiCovid.
Ogerta Manastirliu: “Koronavirusi na e ka bërë të qartë se nuk njeh kufij. Fatet e të gjithë vendeve të pasur ose jo janë të ndërlidhur fort. Shifrat e ditëve të fundit nga vendet e rajonit janë të dhimbshme dhe dramatike. Varianti Delta po vërteton me një shpejtësi alarmante tezën e studiuesve se është me infektueshmëri me të lartë se virusi në formën e tij fillestare. Në të gjithë botën, nga Japonia, Australia dhe SHBA, Delta po hapet me shpejtësi të frikshme dhe po infekton njerëz që nuk e kanë bërë vaksinën ndaj pandemia ia ka lënë termin “pandemia e të pavaksinuarve”.
Vala ka mbërritur më herët se vjeshta. Në Covid 1 janë thuajse 100 të shtruar, 17 në terapi intensive. Mjekët më kanë raportuar se numri i të pavaksinuarve është sa 95% e totalit të të shtruarve. Është e qartë se kush nuk është vaksinuar po rrezikon seriozisht dhe të vaksinuar janë të mbrojtur nga përkeqësimi fatal i sëmundjes. E përsëris se pavarësisht moshës, në shumicën dërrmuese, mjekët më informojnë se nuk kanë shfaqur rrezik për jetën ata që janë vaksinuar.
Sot, qasjet indiferente ndaj mosvaksinimit ndërkohë që rreziku rritet përditë janë të papranueshme. Mbi 625 mijë qytetarë janë vaksinuar deri më sot me 2 doza. Ekspertët vlerësojnë se Shqipëria ndodhet në një situatë më të kontrolluar krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Arsyeja e parë është fushata e vaksinimit. Vaksina shmang format më të rënda të sëmundjes dhe bën dallimin e madh mes jetës dhe humbjes së saj. Vaksina nuk është rasti klasik “ç’punë ke ti ç’bëj me trupin tim”. Kjo vë në rrezik jo vetëm jetën e kujt refuzon, por edhe familjarëve, miqve, kolegëve ndaj shtatori do të jetë muaji i dytë i hapur për vaksinimin. Nga ana tjetër, plani i masave është gati. Po e mbyll me termin “Vaksinohuni, vaksinohuni.”