Nga Alfred Peza/ Dorëheqja e Mark Markut nga mandati i deputetit të PD, shënon aktin më të lartë opozitar të pranimit të drejtësisë së vendimit të SHBA për ta shpallur Sali Berishën dhe familjarët e tij “non grata”, për “akte korrupsioni që minojnë demokracinë”! Përmes letrës së bërë publike sot, ai konfirmoi seriozitetin e krizës së thellë ekzistenciale, në të cilën është zhytur partia më e madhe e opozitës shqiptare.
Vlera e aktit të Mark Markut, qëndron tek demaskimi nga brenda që ai i bëri farsës më të madhe politike të postkomunizmit, duke na vërtetuar se “Lulzim Basha është Kryetari i partisë së Sali Berishës”. Ky është fjalëkalimi që na hap portën për të kuptuar atë që po ndodh brenda minorancës. Fakti që Sali Berisha është pronari i PD dhe lideri “de facto” i opozitës, i vendos emrin e përveçëm burimit të krizës së tyre, duke vërtetuar botërisht edhe përse nuk mund të rikthehen dot në pushtet.
“Duartrokitjet e delegatëve ishin harxhuar në fillim të fillimit, pra, kur në sallë u shfaq kryetari i vërtetë i PD-së, Sali Berisha, i cili kishte zgjedhur këtë moment për t’u treguar të gjithëve se kush kishte qenë kryetari real i PD-së për 8 vitet e shkuara në opozitë dhe se cili do të ishte në katër vitet e ardhshme, po në opozitë”,- shkruan Mark Marku, për Kuvendin Kombëtar të 17 korrikut në PD. Pra Sali Berisha nuk na qenka ai “pensionisti politik”, siç ka gënjyer propaganda e tij pas 2013, por gozhda e ndryshkur e ngulur tinëzisht në ndërgjegjen e opozitarëve.
Kjo e bën më të qartë, aktin e largimit të Mark Markut jo vetëm nga Grupi Parlamentar, por edhe nga strukturat e tjera drejtuese të PD. Vendim i tij ka ardhur pak orë përpara se Lulzim Basha të mbledhë Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike më 30 gusht. Një takim ku prapa disa vendimeve rutinë, po tentohet të fshihet e vërteta e madhe përvëluese, që do shënjojë të ardhmen e opozitës.
Mark Marku me përvojën e tij politike, por edhe me informacionin e brendshëm që zotëron me sa duket, e kuptoi këtë. Ndaj vrapoi i pari, duke u distancuar qartë e prerë dhe duke e demaskuar publikisht gjëmën e madhe që pritet të ndodhë. E ajo është fatale: PD ndryshe nga sa i ka kërkuar ambasadorja e SHBA publikisht, nuk do të distancohet dhe nuk do ta largojë dot Sali Berishën, nga grupi i saj përlamentar në shtator.
PD dhe opozita shqiptare kanë vendosur kësisoj, të futen zyrtarisht në luftë me SHBA, duke u shndërruar në një bunker politik për të strehuar Sali Berishën dhe familjen e tij. Ky është fillimi i fundit të PD. Sepse për herë të parë në historinë e këtyre 30 viteve në Shqipëri, një parti dhe grupim politik sfidon për interesat personale të një politikani të saj, partnerin historik e strategjik të Shqipërisë e të shqiptarëve.
SHBA e ka ditur shumë mirë, sesa i pafuqishëm dhe krejt formal është pozicioni i Lulzim Bashës në gjithë këtë histori, ndaj më shumë se atij veti i bëri thirrje publike ndërgjegjes opozitare: “Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për Partinë (Demokratike), nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”,- deklaroi Yuri Kim më 30 korrik në oborrin e SHQUP.
Propoganda e Sali Berishës nxitoi që ta quante këtë, një fyerje për opozitarët, duke dashur që të mos kuptohej se e kundërta në fakt ishte e vërtetë. Nuk ka fyrje më të madhe për aspiratën demokratike të shqiptarëve, sesa “të djegësh jorganin” e popullit opozitar, për “pleshtin” e liderit të saj. Akti i Mark Makut parë edhe nga kjo dritë, bëhet akoma më i rëndësishëm dhe mer një vlerë të madhe reale, përtej simbolikës së saj të lartë.
Fatkeqësisht, ajo që para një muaji dukej e largët dhe e pabesueshme, po ndodh. PD dhe opozita shqiptare, për hir të hallit personal të Sali Berishës, ka vendosur të “hajë bar”. E sigurtë është tashmë se nuk do ta marin parasysh vendimin e DASH, nuk do të dëgjojnë ambasadoren e SHBA, nuk do ta zbatojnë frymën dhe gërmën e ligjit “Për dekriminalizimin” që e inicuan vetë dhe nuk do aplikojnë për Sali Berishën kërkesën që dërguan me vulën e PD në KQZ, për Tom Doshin.
Nga djepi, Sali Berisha ka vendosur që të shndërrohet në varrin e partisë që udhëhoqi nga dhjetori 1990, nën moton për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Duke e katandisur atë në pluralizëm dhe 30 vjet liri, nën standardet e PPSH të Enver Hoxhës në monizëm dhe 45 vite diktaturë komuniste. Edhe pretendojnë pastaj, se Vaclav Havel nuk kishte të drejtë kur thoshte, se “nuk ka komunist më të keq se komunisti antikomunist”!
Facebook Twitter