Zv.kryeministri Erion Braçe ka reaguar sot pas mbërritjes së 121 qytetarëve afganë në Shqipëri. Braçe është shprehur sot se këta ishin njerëzit që shpëtuam.
Kjo, ka theksuar Braçe, nuk ka lidhje as me NATO-n e as me BE-në, as me amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë etj, ka lidhje me zemrën e bardhë të çdo shqiptari.
“Këta njerëz shpëtuam! Shihni këta fëmije ikur nga errësira dhe kuptoni se e gjitha nuk ka lidhje as me NATO-n e as me BE-në, as me amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë etj. Ka lidhje me zemrën e bardhë të çdo shqiptari!”, është shprehur Braçe, i cili ka publikuar edhe disa foto nga mbërritja e qytetarëve afganë në Shqipëri.
Në aeroportin e Rinasit, ka mbërritur avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja, të cilët fillimisht iu nënshtruan përpunimit të të dhënave individuale.
Më pas ata u nisën drejt strukturave hoteliere në Durrës. Qytetarët afganë janë pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit.