Numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes aeroportit të Rinasit gjatë muajit qershor arriti në 260.991, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, duke shënuar një rritje të ndjeshme në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ku fluturimet ishin të bllokuara si pasojë e COVID-19. Në muajin qershor, transporti ajror i pasagjerëve zë 85,7 % të transportit gjithsej.

Sipas INSTAT-it, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në qershor u rrit 9,2 herë krahasuar me qershorin e 2020-ës. Krahasuar me mesataren e muajve qershor për periudhën 2018-2020, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është rritur me 26,9 %. Ndërsa edhe si periudhë 6-mujore, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore shënoi rritje me 36,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, duke arritur 756.637 pasagjerë.

Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, në gjashtëmujorin e vitit 2021, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 963,8 tonë, duke u rritur me 14,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Ndërsa numri i fluturimeve të kryera gjatë gjysmës së parë të vitit është 8.3482, nga 5.578 që ishin për të njëjtën periudhë të 2020-ës.