Mutacioni Delta po kërcënon çdo ditë e më shumë me shpejtësinë e përhapjes së tij edhe Shqipërinë, e cila deri më tani ka vaksinuar vetëm 30 % të target grupit që duhet të vaksinohet. Silva Bino, shefe e departamentit të Sëmundjeve Infektive thotë se duhet të kemi një mbulesë vaksinale 90 % pasi virusi po përhapet më me shumë shpejtësi se sa ritmet e vaksinimit.
Duke shprehur mendimin e saj personal bazuar dhe në eksperiencat me sëmundjet infektive, Bino thekson se ka ardhur momenti të përdoren mekanizma detyrues. “Fushata e gjata të lodhin dhe ka një relaksim të njerëzve që nuk shkojnë me vullnet”, tha Bino.
Por a duhet edhe Shqipëria të ndjekë të një njëjtin model si Italia apo vende të tjera që nuk lejon frekuentimin e bareve restoranteve apo transportit publik nga persona të pavaksinuar ? “Duhet të ketë mekanizma detyrues, ndoshta jo t’i privojmë nga jeta sociale megjithëse restorantet janë burim i përhapjes, por institucionet arsimore, qeveritare, shëndetësore”, deklaroi Bino.
Për këtë duhet të ketë një vendim nga komiteti i ekspertëve pasi si në strukturat shtetërore edhe në ato arsimore ka punonjës që hezitojnë të vaksinohen.