Merr fund emergjenca mjedisore në Fier. Janë mbyllur të gjitha vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve që “mbytën” qytetin me tym prej 5 ditësh.

Ndonëse flakët u shuan 3 ditë më parë mbetjet e djegura kanë vijuar të çlirojnë tym edhe ditën e djeshme. Fatmirësisht sot janë mbuluar vatrat e tymit të cilat kanë krijiar probleme në ndotjen e ambientit në shkallë të gjerë.

Kreu i Bashkisë së Fierit Armando Subashi deklaroi se nuk do ketë më depozitim mbetjesh në këtë fushë dhe se nga nesër do i transportojnë për në incenerator.

“Dua t’ju komunikoj sot është lajmi që përfundimisht zjarri në të gjithë fushën e mbetjeve këtu është vënë n ë kontroll të plotë. Nuk ka më as tym asgjë. Është një punë shumë voluminoze që është bërë në të gjithë këto ditë. E gjithë fusha është kapsuluar dhe nuk përbën më asnjë rrezik për ndezje të vatrave të zjarrit.
Ne nuk do ta ndërpresim punën dhe do ta vijojmë me mbulimin e saj me dhe deri në atë lartësi që është e nevojshme. Pas kësaj faze do të vazhdojmë në tetor me mbjelljen e 5000-7000 pemëve në të gjithë këtë fushë.

Këtu përfundimisht nuk do të depozitohen më mbetje. Kemi biseduar këto edhe me koncesionarin dhe kemi rënë dakord që nga nesër pasdite të gjitha mbetjet që krijohen në Bashkinë e Fierit do të shkojnë në incenerator. Vjeshta do të jetë edhe periudha kur e gjithë kjo fushë do të pyllëzohet dhe gradualisht do të kthejmë nga një gangrenë në një park të vogël. Do të jetë një kujtim i hidhur”, tha Subashi.

3 ditë më parë në një reagim për mediat, Shoqëria “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k ka sqaruar se lajmet që e lidhin inceneratorin me situatën er krijuar janë tërësisht të pavërteta, duke sjellë dezinformimin e publikut. Sipas shoqërisë venddepozitimi i mbetjeve urbane të qarkut Fier, është në funksion dhe operativ si dhe në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi dhe me standarte të larta ndërkombëtare. Gjithashtu kjo kompani ka bërë të ditur se është pajisur me leje Mjedisi të Tipit A. e nevojshme për ushtrimin e kësaj veprimtarie.