Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi së bashku me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, kanë mirëpritur në një ceremoni në “Europe House” në Tiranë, 19 studentët fitues të bursave Erasmus Mundus.
Ministrja Kushi ka theksuar se këta të rinj janë një vlerë e shtuar për Shqipërinë sepse kthehen në vendin e tyre dhe japin kontribut të vyer në institucione, sjellin vizion dhe energji të reja për të cilat çdo vend ka nevojë.
“Falënderoj për mbështetjen delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri me të cilët jemi vullnetplotë për të vijuar e forcuar bashkëpunimin veçanërisht në fushën e arsimit,” – shkruan Znj. Kushi në publikimin e saj në Facebook.
Gjatë ceremonisë ajo nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit dhe grumbullimit të përvojës ndërkombëtare nga ana e këtyre studentëve shqiptarë, të cilët shkojnë jashtë dhe takojnë studentë dhe profesorë nga vende të tjera të Evropës, duke zhvilluar në këtë mënyrë karrierën dhe të ardhmen e tyre.