Nga Rudina Xhunga

Në 02:19 erdhën pamjet e para nga Rinasi, pastaj në 04:17 me frazën shkurt, mbërritën afganet, erdhi një video. Ishin fëmijët të parët. U fiksova te një djalë i vogël që luante me nënën. Nuk dallohej qartë, por aq sa të më bënte të qaja e pashë. Pastaj LSA-ja e fshiu videon, sepse kishte zbuluar fytyra fëmijësh. Dhe dërgoi këto foto.

Por unë pashë aq sa të kujtoja atë kohe kur afganet ishim ne. Ne që i ikëm varfërisë në të gjitha mënyrat. Vite më pas, ne po presim siç na pritën italianët e gjermanët, grekët e gjithë perëndimorët dikur. Nëse ke ikur, ose ke pasur dikë në ato anije mbijetese, ti e di si janë tani ata fëmijë të vegjël, ato gra, ato nëna në karroca me rrota.

Ndaj pavarësisht çfarë bën shteti, ne mund të çojmë tek ata lodrat e fëmijëve tanë, libra, veshje, pak dashuri nga Tirana. Sepse ne jemi shqiptarë.

Unë do të shkoj dhe do e gjej fëmijën që pashë mbrëmë në video. Nuk e di nëse lejohet. Po do të pyes. Ndërkohë sa kalojmë kohën në rrjetet sociale, duke menduar a bëri mirë apo jo Edi Rama dhe pse e bëri, unë jam falënderuese që e bëri edhe ne emrin tim dhe dua të ndihmoj me çfarë mundem në këtë situatë që më ka prekur, më ka mobilizuar dhe treguar se ne ia dolëm, tani është radha jonë të japim një dorë!/dritare.net