Prej disa kohësh po përflitet për një konkurrencë mes dy figurave të njohura të ekranit, Luana Vjollcës dhe Arbana Osmanit. Këto zëra janë shtuar dhe më tepër për shkak të spekulimeve se cila do të merrte drejtimin e “Big Brother VIP’. Tanimë është konfirmuar zyrtarisht se prezantuesja e këtij formati do të jetë Arbana e megjithatë zërat për një rivalitet të mundshëm mes tyre nuk kanë të ndalur. Duket se Luana është lodhur nga të gjithë këto aludime dhe ka vendosur që të japë një përgjigje publike nëpërmjet një postimi në “InstaStory”. “Nuk ka konkurrencë. Je vetëm ti përballë teje”, thuhet në thënien e shpërndarë nga Luana.

Moderatorja këto kohë ka qëndruar shumë e heshtur dhe ende nuk ka zbuluar se me çfarë do të angazhohet gjatë sezonit të ri televiziv. Ndryshe nga vitet e shkuara kur ajo i rikthehej menjëherë punës në fund të gushtit, këtë herë ajo nuk ka publikuar asnjë foto nga ambientet e zyrës së saj. Luana nuk ka konfirmuar asgjë për sezonin e ri të “Shiko kush luan” dhe nuk dihet nëse ky program do të rikthehet sërish në ekran.

Kujtojmë se këto kohë Luana është përfolur edhe se mund të jetë larguar përfundimisht nga “Top Channel”. Burime për “Gazeta Express” bënë me dije se ajo po largohet nga ky televizion dhe tashmë emisionet e saj do të mbajnë logon e një televizioni tjetër, por ky lajm nuk është konfirmuar ende.