Pas pedagogëve dhe studentëve, po shqyrtohen edhe disa profesione të tjera ku shihet si domosdoshmëri vaksinimi i detyruar për të mos pasur probleme në fuksionimin e tyre si pasojë e COVID. Kështu ka deklaruar në një intervistë për Report Tv nëndrejtori i ISHP-së Dritan Ulqinaku. “Është një pyetje që po vihet në diskutim nga qarqet mjekësore. Absolutisht do kishte qenë mirë që vaksinimi të mos ishte i detyrueshë, por ka disa poste që e kanë të pamundur të krijojnë hapësirën për të mos infektuar të tjerët sic mund ta kenë pedagogët, infermierët, kirurgët. E kanë të pamundur të rrinë 2 metra larg pacientit kirurgët. Vaksinimi shihet si i domosdoshëm që të mos infetkohet stafi ndihmës, kolegët, pacientët. Në këtë pikëpamje janë disa kategori që po shqyrtohen për të parë domosdoshmërinë e vaksinimit për të mos pasur problematikë në funksionimin e këtyre institucioneve”, tha ai.

I pyetur për humbjet e jetëve te moshat e reja si pasojë e COVID, Ulqinaku tha se në dijeninë e tij nuk ka asnjë të vaksinuar me 2 doza që ka ndërruar jetë. “Skam informacion për rastin konkret dhe mora vesh në linja të tjera humbjen e patriotit tim. Se di kush ka qenë statusi i tij i vaksinimit. Në dijeninë time nuk ka persona të vaksinuar me 2 doza që të ketë humbur jetën në 2 muajt e fundit”.

Afganëve që do të strehohen në vendin tonë pasi t’u bëhet kontrolli mjekësor do të drejtohen për të bërë vaksinën anti-COVID. ” Nuk besoj se ka ndonjë problem, janë marrë masat për afganët. Të gjithë personat mbi 18 vjeç do u ofrohet vaksinimi. Se shikoj problematike. Vaksinimi i tyre do jetë i nevojshëm. Pas kontrolleve do u ofrohet dhe vaksina”, tha Ulqinaku.