Nga Frrok Çupi/ Këta janë Ilir Meta, Sali Berisha, Lul Basha dhe Albin Kurti. Secili prej tyre është një tip më vete, por të katër së bashku bëjnë ‘një’. ‘Si një trup i vetëm’ janë bashkuar për t’i ndërruar drejtimin zhvillimit të Shqipërisë nga ‘përpara’ në një drejtim tjetër. Taktika që kanë zgjedhur është konflikti; konflikt sa më i gjerë dhe i thellë brendapërbrenda kombit.
Harta e konfliktit është spostuar nga një konflikt ‘tironc’, domethënë në bulevardin e madh të kryeqytetit ose rreth selisë së qeverisë dhe selisë së Parlamentit, në një konflikt që figurshëm mund të kodifikohet si ‘konflikti i Kalimashit’. Tani nuk ka më gjurmë konflikti në Tiranë, sepse këtu ndodhet ‘Amerika’. Nuk e mbani mend pse aq shpesh dyshja kosovare Kurti- Osmani urdhëronin për hapjen e ‘traut të Kalimashit’, urdhër që dukej sikur ata të dy ishin edhe qeveri e shtetit të Shqipërisë?! Ëndrra për të zaptuar kreun e qeverisjes së Shqipërisë rri natë e ditë zgjuar tek entourage i Kurtit të Kosovës.
Cilat janë mjetet që po përdorin deri më sot? Mjeti i parë është ‘nacionalizmi bosh’ për të cilin që të katër janë ‘papagaj’ të zellshëm dhe rrënues të vërtetë të nacionit, njëkohësisht. Mendoni një gjë: Sot që po shkruaj këtë shënim, në Kosovë kanë vdekur një numër kampion- 11 vetë, nga coronavirus-i, por qeveria nuk e çan kokën; qeveria e ka punën me konfliktin etnik. Në Korçë ku u mbajt një Festë ‘për qejfin tonë’, lëvizja VV e Kurtit futi duart dhe hapi gaz lotsjellës për të verbuar të madh e fëmijë, ose të paktën për të prishur festën. Një ‘alien’ i VV së Kosovës në Shqipëri dha lajmin e gëzuar se ‘pa këtë armë nuk do të kishte kuptim festa!’.
Mjeti i dytë, konflikti me a rmë: Ka ndodhur vetëm një herë në historinë tonë kombëtare që një ministër kuisling kosovar, Xhafer Deva, brenda natës ka vrarë në Tiranë 86 qytetarë, dhe kjo datë ishte 4 shkurt 1944. Por ai ishte kot ‘një kosovar’, sepse i përkiste qeverisë kuislinge të Tiranës. Përsëritja, sado pak, e dhunës prej pjesës tjetër të kombit, zgjon kujtime të hidhëta si në ‘44. Këtë po bën Kurti.
Mjeti i tretë, të vij në shtëpi e të bëj ligjin: Nuk ka ndodhur asnjëherë, në gjithë botën, kur një pjesë e kombit e mbetur jashtë kufijve shtetëror, të kërkojë përmbysjen e rendit dhe të qeverisë në atdheun amë. As mes Kosovës e Shqipërisë nuk ka ndodhur më parë. Vetëm tani, qeveria Kurti e Kosovës kërkon rrëzimin e qeverisë dhe të rendit në Shqipëri. Kryeministri i Kosovës ka bërë thirrje disa herë për të përmbysur qeverinë Rama. Sipas politikës në Kosovë, pjesa tjetër e kombit i bëhet opozitë politike Shqipërisë. Ajo ka instaluar grupime politike si ‘opozitë’ e rendit kushtetues shqiptar, ose si qeliza dhune. Opozita që përfaqëson VV e Kurtit ka bërë thirrje për përmbysje.
Mjeti i katërt: Ushtri e përbashkët me brezin e humbur: A do të jetë e armatosur apo jo, ushtria e Albin Kurtit, kjo nuk ka rëndësi. Puna është se në njëmijë mënyra përgatit sulme kundër qeverisë së zgjedhur me votë në Tiranë. Arsyetimi i vetëm i luftës është se ‘duhet të mos jetë Edi Rama!’. Pse? Pse është nga Jugu i vendit dhe Kurtit i duhet një nga katundi i vet, siç është Berisha? As kjo nuk është thelbësore. Thelbi është që të rrëzohet Rama si një garant i Reformës në Drejtësi dhe i besuar i Amerikës. Grupimi ku mbështetet plani për rrëzimin e qeverisë ‘Rama’ dhe për të dëbuar influencën e Amerikës, mund të quhet si në letërsi ‘Brezi i humbur’.
Ku spostohet konflikti ballkanik? Nëse punët me mendjen e Kurtit do të marrin këtë vijë, atëherë herën tjetër nuk do të flitet më për një ‘konflikt permanent Serbi- Kosovë’, por për një konflikt Kosovë- Shqipëri. Konflikti mes shqiptarëve në të dy shtetet e tyre, do të ishte tragjike, do të ‘’fshijnë’ historinë e re të hapjes dhe të demokratizimit në mbarë kombin.
Në këtë pozitë janë së bashku të katër: Berisha, Meta, Luli dhe Kurti. Çfarë janë këta të katër? Berisha dhe Meta janë duke perënduar përjetë; pritet do të vihen para Drejtësisë për krimet dhe korrupsionin e kryer. Basha i PD, një kukull e Berishës, ka disa dosje korrupsioni dhe krimi; por pritet si do të reagojë. Atij i kërkohet që të mbajë anën e Drejtësisë dhe të Perëndimit. Sot për sot është vetëm ‘gjysmë’, me Albinin bëhen një e gjysmë.
Nga të katër, mbeten dy ‘të vd e kur’ dhe një e gjysmë në jetë.