Mero Baze

Pelegrinazhi I besimtarëve bektashinj në Teqenë e Malit të Tomorit, por dhe në teqetë e tjera të vendit, kur kanë datën e tyre, po ekspozon përditë e më shumë një fenomen shqetësues që ka të bëj me ceremonialin e kësaj feste. Është fjala për therjen e kafshëve, kryesisht qengja, të cilët sakrifikohen në këtë festë. Nuk bëhet fjalë të ndryshoj tradita dhe as të prishen rregullat e ceremonialit të besimtarëve, por ekspozimi I therjeve në publik dhe akoma më keq masakra mjedisore që krijohet pas festës për shkak të gjakut, lëkurëve dhe kockave të hedhura gjithandej është një masakër primitive që shëmton festën dhe fyen përkushtimin e besimtarëve ndaj saj.

Ky problem sa vjen e bëhet më I fort për shkak të dukshmërisë që kanë gjithnjë e më shumë këto festa në rrjetet sociale nga kontributi I shumë besimtareve. Kryegjyshata Botërore që është autoriteti më I lart I besimtarëve bektashinj, duhet të ndryshojë disa rregulla, për të mos e lë në këtë festë në kushtet e primitivizmit të shekujve të shkuar. Nuk ka asnjë arsye që publiku të shikoj si theren qengjat në Malin e Tomorit apo Teqenë e Ali Postivanit në Përmet. Nuk ka asnjë arsye që gjaku të mbush shpatet e maleve dhe lëkurët të mbeten nëpër shpate.

Meqë riti I sakrifikimit të qengjave është detyrim, teqeja mund të porosisë disa thertore që ti therin qengjat pa qenë nevoja që ato të theren në publik duke tmerruar dynjanë. Aq më keq pastaj mbetjet e therjeve të shpërndara nëpër faqe Mali me shpresën se do të bjerë shi dhe I merr me vete. Nuk më duket ndonjë “reformë” e dhimbshme kjo e krijimit të sigurisë ushqimore dhe për besimtarët që duan ta pjekin vet mishin majë Malit në këtë stinë zjarresh.Festa mund të organizohet si një piknik normal, ku secili, nëse do  të sakrifikoj një qengj , mund ta therë atë në thertore e ta marr të pjekur në mal pranë Teqesë.

Batërdia e therjeve masive, pjekja në Mal në kulmin e një rreziku zjarrvënie dhe lënia e mbeturinave në shumicën e rasteve aty ku hanë, në të vërtet vret hijeshinë dhe ceremonialitetin e një feste, tek e cila qindra mijëra besimtarë besojnë se është Dita e tyre e mirë. Që në fakt bënë shumë të tjerë të ndjehen keq!