Nga Alfred Peza
E kanë në strategjinë e tyre, që të mos kenë një plan qeverisës. Një projekt elektoral. Një alternativë për të ardhmen e njerëzve në këtë vend. Një “dekalog” politik. Strategji ndryshe. Apo platformë me gjërat më kryesore, që mund të arrijnë të bëjnë nesër kur të jenë në pushtetin ekzekutiv e atë legjislativ. Jo.
Nuk ofrojnë asnjë rrugë të re, ndryshme nga e tanishmja, për të ardhmen e punëve në këtë vend. Nuk kanë asnjë ide të hedhur në “letër”, për ti dhënë mundësinë shqiptarëve që të ballafaqojnë programet e të dyja palëve, që të debatojnë e përqafojnë atë që do të jetë më e mira për ta.
Kanë 30 vjet që, sa herë gjenden në minorancë, kanë vetëm një gjë për ti ofruar shqiptarëve. E ajo është frika. Kanë vetëm një mënyrë për ta detyruar kundërshtarin që tu hapi rrugën drejt pushtetit; përmes shpifjeve. Derisa të mbjellin tek njerëzit, urrejtjen për “armikun” përballë, që të ngrihen kundër tij.
E kanë bërë këtë më 1991-1992 kur erdhën për herë të parë në pushtet. E bënë sërisht më 1997 kur ikën nga pushteti me plumba e deshën të riktheheshin më 1998 me grusht shteti. E bënë përmes protestave nën moton “Nano ik”, derisa ia dolën më 2005 të riktheheshin sërisht në pushtet! E ndoqën këtë rrugë më 2017 te çadra e “Republikës së Re” në bulevard. Për ta vijuar me ndjegien e mandateve të deputetëve, “revolucionin e molotovëve” dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale të 2019.
Por shqiptarët dëshmuan më 25 prill se nuk manipulohen dot kësisoj, ndaj i ndëshkuan si kurrë më parë me votë, për të tretën herë radhazi. Edhe tani pas shpalljes së tij “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, propaganda e Sali Berishës vazhton të jetë e njëta sa më shumë që po i afrohemi sezonit të ri parlamentar, duke patur të njëjtin qëllim: Të mbjelli frikë! E përmes frikës, të nxisin urrejtjen kundër mazhorancës dhe Edi Ramës.
Kjo është arsyeja se përse nuk keni parë nga lidershipi i opozitës asnjë plan alternativ për rindërtimi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, por keni dëgjuar vetëm lajme të rreme, për tërmete te reja apokaliptike që do të godisnin vendin. Ndaj nuk keni parë asnjë program alternativ për përballimin e pandemisë së Covid-19, por keni dëgjuar prej tyre, vetëm lajme horror me vdekje e varre imagjinare shqiptarësh.
Ndaj nuk keni parë një përballje të denjë politike për programin e qeverisjes në fushën e sigurisë dhe luftës kundër kriminalitetit, por keni dëgjuar vetëm lajme të montuara në SHQUP me “Babale”. Ndaj nuk keni parë ndonjë debat kontruktiv rreth projektit të “Open Balkan”, por keni dëgjuar vetëm teori konspirative me “tradhëti kombëtare” dhe liderë që “ngrysen heronj e gdhihen tradhëtarë”.
Ndaj me të drejtë pyesin se përse Goran Bregoviç kur këndoi në Tiranë, sa ishte Sali Berisha Kryeministër, ishte një yll i madh i muzikës europiane. Ndërsa sot kur pritet të këndojë në një festë birre në Korçë, ai cilësohet si këngëtari i Millosheviçit nga ata që thyen embargon e OKB për luftën në ish- Jugosllavi, duke furnizuar me naftë makinën vrasëse të kasapit të Beogradit.
Ndaj nuk kuptohet se përse një popull që sot përkujton 30 vjetorin e zbarkimit të vet në brigjet italiane, po frikësohet me përdhunimet që e presin, nga disa emigrantë politikë që po i ikin regjimit taleban në Afganistan. Ndaj një popull që priti mbi 500 mijë refugjatë mbi dy dekada më parë, që i ikën “talebanëve” të Serbisë, po helmohet sot me lajme të rreme për 2-3 mijë mësues, artistë e përkthyes që po i ikin hakmarrjes pasi bashkëpunuan më trupat e NATO-s në terren përfshirë edhe ato të ushtrisë shqiptare.
Propaganda e opozitës sonë, e di se çfarë po bën. Janë shumë të qartë për këtë. Madje shumë të kalkuluar. Nxitja e urrejtjes ndaj kundështarit, është e vetmja alternativë që kanë. Po ndjekin për këtë leksionin e mëkëmbësi të Hitlerit, Herman Goering që dha në sallën e Procesit të Nurenbergut, kur u pyet si arritën ta bindnin popullin gjerman ta pranonte të gjithën atë që bënë në Luftën II Botërore.
“Ishte e lehtë,- tha ai,- e nuk ka të bëjë fare me nazizmin, ka të bëjë me natyrën njerëzore. Mund ta bësh atë edhe në një regjim komunist, socialist, monarkist apo në demokraci. E vetmja gjë që duhet bërë për ti skllavëruar njerëzit është frikësimi. Nëse arrini të imagjinoni një mënyrë për ti frikësuar njerëzit, mund të bëni me ta çdo gjë që të doni”. Kaq.