Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësimin për vaksinat e COVID-19 të cilat kanë mbetur të papërdorura. Një zëdhënës i OKB tha se organizata mundet të ndihmojë që vaksinat të përdoren, por vetëm me kërkesë të qeverive. “Ne jemi shumë të shqetësuar për situata ku kemi parë se vaksinat kanë mbetur pa u përdorur. Ose për arsye administrative ose për shkak të mungesës së kujdesit të duhur, ose në fakt për shkak të hezitimit për vaksinimin”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Programi i shpërndarjes së vaksinave, COVAX deri më tani ka shpërndarë 186.2 milionë doza te 138 shtete. Sipas të dhënave të UNICEF-it, COVAX synon të sigurojë 2 miliardë doza për vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme deri në fund të vitit 2021. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar më shumë se 110 milionë doza të vaksinës për afro 60 vende deri më tani.