Nga Jakin Marena/ Në Shqipëri, opozita është në kaos të plotë dhe ka probleme orientimi në drejtim të rrugës së duhur për të qënë një opozitë normale dhe për të synuar pushtetin.
Nëse mund të përdorim në gjuhën popullore një term mjekësor për gjendjen e sotme të PD-së por dhe LSI-së në dekompozim e sipër, termi më i mirë që i përshtatet është se opozita ka probleme me “veshin e mesëm”, që shoqërohet me marrje mendsh e humbje ekuilibri.
Eshtë fatale ta mendosh një gjë të tillë për opozitën e vendit tënd që duhet të jetë një pasqyrë e qeverisë, dhe njëherësh qeveria e së nesërmes, por e tillë është situata në këtë fund vere, i tillë është realiteti.
E gjendur jashtë pushtetit qëndror pas tentativës së tretë radhazi përballë Edi Ramës, por dhe jashtë pushtetit vendor, pa asnjë bashki në qeverisje, përjashtuar Shkodrën ku Voltana Ademi ka mbetur si “dopiogjashta” në derë të kryeqendrës së Veriut por e “mbytur” nga një këshill bashkiak tërësisht socialist, me një kryetar real si Sali Berisha “non grata në SHBA” dhe një zyrtar si Lulzim Basha që “as të … ngre dhe as të lëshon”, opozita po mundohet me të gjitha mënyrat për të gjetur një kauzë politike.
Ardhja e talebanëve pa asnjë shkrehje arme në pushtet në Afganistan, pas 20 vitesh kur u larguan me luftë nga SHBA, që investoi miliarda dollarë në këtë vend për forcimin e shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe mbi të gjitha krijimin e një ushtrie të mirë-armatosur prej 300 mijë vetësh dhe që u dorëzua përballë 76 mijë talebanëve, me sa duket u pa nga strategët e opozitës si një mundësi për të dhënë goditje ndaj qeverisë, përmes goditjes së SHBA-së.
Mediat afër Berishës, Bashës dhe Metës nuk lënë rast pa shfrytëzuar për të fajësuar presidentin e SHBA Joe Biden, sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken dhe zyrtarë të tjerë amerikanë për dështimin në Afganistan.
Pavarësisht se në 20 vite SHBA ka pasur 4 presidentë e po aq sekretarë shteti dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Madje Trump “anti-Soros” finalizoi marrëveshjen me talebanët në Doha ku SHBA angazhohej të tërhiqej më 31 gusht 2021 ndërsa vendi u vendos që të qeverisej nga një qeveri mbarëkombëtare! Po kjo s’përmendet nga lidershipi i opozitës.
Sentenca që përdoret rëndom nga mbështetësit e opozitës, nën dirigjimin e lidershipit aktual në hall me dosjet e rënda në SHBA dhe në Shqipëri e përballjen me drejtësinë, është se megjithëse e mbajti Afganistanin të pushtuar për 20 vite me radhë, Amerika nuk ia doli të impementojnë demokracinë në këtë vend.
Madje arrihet deri aty sa të thuhet se SHBA nxiti një korrupsion galopant, ku përfaqësuesit e saj, shtetërorë dhe të Sorosit, u përfshinë në këtë korrupsion duke shënuar një dështim të plotë në të gjithë sektorët jetikë të ekonomisë dhe demokracisë afgane.
“Ëndrra e madhe për liri e kombit afgan, SHBA, NATO-s dhe krejt botës së lirë, pas 20 vite jetë u varros në Afganistan! Triumfoi Korrupsioni dhe Mesjeta! Sb”, reagon Berisha pas hyrjes së talebanëve në Kabul dhe largimit në panik të ish presidentit dhe qeveritarëv e afganë nga vendi.
Të njejtën “muzikë” politike kanë luajtur dhe mbështetësit e Berishës, mediat e familjes e afër tij, duke fajësuar SHBA-në për dështimin në Afganistan dhe tërheqjen sipas tyre të turpshme pas 20 viteve pushtim.
Kauza e opozitës me tërheqjen e SHBA nga Afganistani mundohet të përqaset me Shqipërinë, duke nisur në fillim akuzat ndaj qeverisë së Ramës se po largohen pa fund shqiptarët nga vendi, për shkak të gjendjes së vështirë që ka krijuar kjo qeveri. Vijuar me sulmet se Rama po përdor strehimin e afganëve të larguar nga vendi për qëllime politike dhe për t’u bërë qejfin amerikanëve, në këmbim të mbajtjes sa më gjatë në pushtet!
Herë përmes krahasimit të mënyrës së pritjes së afganëve në Shqipëri dhe shqiptarëve që largohen nga vendi, e herë përmes evidentimit të elementit “Soros” në politikat e Shqipërisë, lidershipi i opozitës po tenton me të gjitha mënyrat ta krahasojë Shqipërinë me Afganistanin, duke tentuar të vendosë shenjen e barazimit mes tyre. Opozita këmbëngul se në të dy vendet ka varfëri, ka largime masive, korrupsion dhe mbi të gjitha në të dyja vendet ka qënë dora e SHBA.
“Sovranistët” shqiptarë, të kryesuar nga Sali Berisha dhe presidenti aktual Ilir Meta, ky i fundit kur kanë kaluar dy javë nga kriza afgane ende nuk ka folur një fjalë për mijëra të larguar nga ky vend, janë të bindur se Shqipëria është një vend i pushtuar nga SHBA.
Madje më se njëherë e kanë shprehur se vendi qeveriset nga “guvernatorja” Yuri Kim, ndërkohë që Edi Rama dhe PS janë të emëruar nga SHBA në krye të punëve në Shqipëri, duke lënë PD dhe LSI “rrugëve”, pavarësisht se “mbështeten nga shumica e shqiptarëve”.
Zgjedhjet e 25 prillit me sa duket lidershipi i PD e LSI i “lexon” si të rregulluara nga amerikanët në atë mënyrë që Edi Rama të jetë sërish kryeministri i vendit. Madje akuzohen ambasadorët e SHBA dhe BE se kanë ndihmuar Ramën për të kapur drejtësinë e re, ndaj janë kundër Reformës në Drejtësi.
E thënë me fjalë më të thjeshta, opozita shqiptare beson se SHBA është fajtore për gjithçka, pasi jo vetëm që ngriti një qeveri të korruptuar në Afganistan njësoj si në Shqipëri, të cilat nuk i do populli i të dy vendeve, po krijoi rregulla që dështuan drejtësinë e demokracinë në të dy vendet.
Akuzat e lidershipit të opozitës mund të lexohen qartë dhe saktë në këtë mënyrë: Në Shqipëri SHBA la jashtë pushtetit PD dhe LSI, Berishën dhe Metën, që i do populli, ndërsa në Afganistan lanë jashtë pushtetit talebanët të cilët dhe ata i “donte populli”, duke mbajtur në këmbë një qeveri të korruptuar dhe të inkriminuar që ra për disa ditë. Dhe në Afganistan, talebanët erdhën në pushtet, i do populli sipas kutit të opozitës sonë “sovraniste”, pavarësisht se ai ka marrë rrugët.
Ndaj dhe “talebanët” shqiptarë, pra opozita që e “do populli”, ka ardhur koha që të çlirohen nga “pushtuesi” SHBA dhe të rikthehen në pushtet për të qeverisur “pa korrupsion dhe jo me këtë drejtësi të imponuar nga Sorosi”.
Kështu mendon Sali Berisha teksa “sondon” me këmbëngulje përmes ithtarëve të tij në rrjetin social, në PD por dhe në mediat e familjes dhe afër tij, këtë e mendon Lulzim Basha i cili me heshtjen e tij kërkon të fitojë kohë dhe të shohë nga lëviz balanca, këtë e beson dhe Ilir Meta i cili nuk ka folur deri më tani asnjëherë për afganët që kërkojnë strehim në të gjithë botën dhe kanë ardhur në Shqipëri, ndërsa sheh se partia e tij LSI praktikisht nuk ekziston më.
Me sa duket presin, dhe janë të bindur se “pushtuesi” SHBA do të largohet me dështim dhe nga Shqipëria si në Afganistan, dhe se pushteti me patjetër do të vijë në dorë të opozitës siç ndodhi me Talebanët, që hynë në Kabul pavarësisht se ishin trefish më pak në luftëtarë se sa ushtria afgane e përgatitur nga SHBA. Por i “donte populli” sipas lidershipit tonë opozitar.
Berisha dhe Meta, të gjendur në të njejtin hall, njëri “non grata” në SHBA dhe tjetri kandidat për një “medalje” të tillë, dhe të dy të rrezikuar nga drejtësia e re, janë të bindur se pa Amerikën dhe “Guvernatoren” Kim në Shqipëri, qeveria e Ramës dhe pushteti i tij nuk qëndrojnë në këmbë.
Ndaj po mbajnë veten dhe mbështetësit me “gajret” që të durojnë derisa të tërhiqet SHBA nga Kosova e Shqipëria, që t’i kthehet sovraniteti i vendit e pushteti të shkojë te ata që “i do populli”.
Të besosh se Biden e Blinken janë fajtorë për situatën në Shqipëri dhe Afganistan, dhe se largimi i tyre është në të mirë të forcave demokratike që i do populli, duke nënkuptuar opozitën shqiptare dhe talebanët në Afganistan, është një kauzë që i bën vetëm varrin opozitës.
Në krye të herës Shqipëria nuk është Afganistan që qeveriset nga fiset dhe sheriati, dhe është në Lindjen e Largme. Shqipëria është vendi në zemër të Europës, që i ka dhënë shumë qytetërimit europian dhe që aspiron për të hyrë me të drejta të plota në familjen europiane. Duke realizuar dhe një sërë kushtesh, që kanë si bazë demokratizimin e jetës së vendit dhe vendosjen e një drejtësie që të bëjë drejtësi.
Shqipëria nuk ka realizuar kurrë në jetën e vet si shtet dhe as më parë luftë civile, që të bëhet krahasim me Afganistanin që është për gati 40 vite në luftë mes muxhahidinëve dhe talebanëve, si dhe strehë e terrorizmit botëror, duke filluar me Al Kaedën e Osama Bin Laden e përfunduar me segmentet e ISIS që kanë nxjerrë “kokën” me ardhjen e Talebanëve.
E provoi dhe Sali Berisha në vitet 1994-1997 ta kthente Shqipërinë në një strehë për “bijtë e terrorit”, duke pritur madje dhe Osama Bin Laden dhe duke lëshuar poligonët e ushtrisë në territorin shqiptar për të sërvitur terroristët por dështoi. U “zbyth” me turp nga pushteti!
Shqiptarët e duan Amerikën dhe janë populli më pro-amerikan në rajon e më gjërë, ndaj refuzuan emisarët e terrorizmit dhe kërkuan mbështetjen e SHBA dhe BE për të dalë nga kolapsi ku e futi Berisha dhe njerëzit e tij në mars të vitit 1997.
Dhe mbi të gjitha, SHBA ka qënë mbështetësi kryesor i Shqipërisë që nga krijimi i shtetit shqiptar, aq sa ndërhyri dhe e bëri Ballkanin me dy shtete shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën. Pa SHBA-të nuk do të ekzistonte shteti shqiptar, ndërsa për Kosovën nuk do të flitej fare.
Shqipëria ka marrë gjithçka nga SHBA, mbështetjen për ekzistencën e shtetit, mbështetjen financiare, mbështetjen për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, ngritjen e ushtrisë dhe ndërtimin e bazave të mëdha ushtarake të NATO-s në territorin e saj, investimet madhore, integrimin në strukturat euro-atlantike e s’ka dhënë shumë në këmbim. Kemi dhënë mbështetje në kuadër të NATO-s në misionet e OKB në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnje dhe Mali.
SHBA ka pasur më shumë qeder nga liderë të papërgjegjshëm dhe mosmirënjohës shqiptarë që sa herë janë në hall luajnë me tezën e “sovranitetit” duke sulmuar ambasadorët e SHBA në Shqipëri, e deri duke krijuar lidhje të “shkurtëra” me botën e nëndheshme të krimit dhe të ambicieve ruse për të shtrirë ndikimin e vet në Ballkan, si presion ndaj SHBA. Deklaratat e Berishës dhe veçanërisht të Metës që përmendin dhe raketat ruse, këtu konvergojnë!
Ndaj të luash me tezën e etiketimit të SHBA si pushtues të vendit, të vendosjes së shenjes së barazimit mes Shqipërisë dhe Afganistanit dhe të krahasosh veten me talebanët që “i dashka populli si opozitën në Shqipëri”, por që Amerika është kundër, është loja më humbëse që mund të realizojë një opozitë për të përgatitur rrugën dhe ardhur në pushtet.
E thënë me fjalë të thjeshta, ne këtë mënyrë jo vetëm që opozita nuk vjen kurrë në pushtet, por dhe lidershipi i saj që ka bërë zullume në 30 vite post-komunizëm sa herë ka qënë në pushtet, do të jetë në radhë për t’u përgjigjur para drejtësisë. S’është lojë amerikane kjo, është lojë drejtësie!