Nga Alfred Peza

Janë kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, tek zhvillimet e ditëve të fundit në Afganistan, duke shpresuar se përmes përdorimit të tyre do ia dalin që të mbijetojnë politikisht në Shqipëri. E për këtë janë gati që të besojnë gjithçka, vetëm e vetëm që 9 shtatori, tu duket sa më i largët e i pamundur.

Janë gati që ta barazojnë Shqipërinë me Afganistanin, megjithëse nuk kanë asnjë ngjashmëri në asnjë pikepamje, vetëm e vetëm që të ngushëllojnë veten. Kanë ditë që po mbajnë si hejmali, duke e shpërndarë si traktet e qëmotit gjithandej nëpërmjet internet, shprehjen se: SHBA do të dështojë në Shqipëri, si edhe në Afganistan!

A thua se Shqipëria ka qenë vendi që ka strehuar Bin Ladenin, liderin e grupit militant islamik “Al Kaeda”, kur u shpall përgjegjëse për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi Kullat Binjake në SHBA. A thua se në Shqipërinë e asaj kohe, nuk ishte Kryeministër Ilir Meta i tyre i sotëm, por talebanët që qeverisnin Afganistanin që nga viti 1996!

A thua se qeveria e Shqipërisë nuk e dorëzoi atëherë Bin Ladenin, duke e detyruar kësisoj SHBA-në që të ndërhynte për të na pushtuar ushtarakisht! Duke harruar se Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet, përkrah SHBA në luftën kundër terrorizmit. Ashtu sikundër u vendos përkrah saj dhe aleatëve të tjerë të NATO, edhe pas 2004 kur pushtetin në Kabul, e mori një qeveri e re që kishte mbështetjen e perëndimit!

Për të shpëtuar Sali Berishën nga ultimatumi i ambasadores Yuri Kim për të mos hyrë në Parlament si pjesë e Grupit Parlamentar të PD, pas shpalljes “non grata” nga Departamenti i Shtetit, përkrahësit e tij po shkojnë me shpejtësi shumë larg. Duke dalë hapur tashmë jo vetëm si antiamerikanë, por duke qenë të gatshëm që ta barazojnë veten me talebantët e me talebanizmin, vetëm e vetëm që ti japin zemër ndjekësve të tyre.

Janë gati ta trajtojnë Shqipërinë, jo si një vend Europian dhe shtet anëtar të NATO, por si një provincë të humbur ku edhe ata nën shembullin e talebanëve, do rikthehen shpejt në pushtet. E pas kësaj, edhe ata do rivendosin sundimin e tyre të pakufizuar, duke përzënë njëherë e përgjithmonë nga vendi “pushtuesin” amerikan që ia ka marë sovranitetin lidershipit të tyre për të vendosur siç ua ka ënda përjetësisht në këtë vend.

Të vjen për të qeshur e për të qarë, kur i sheh të flasin përçart publikisht e të artikulohen sikur të ishin nëpër koridoret e një çmendine, vetëm e vetëm për të trimëruar veten dhe të tjerët përballë asaj që i pret më 9 shtator. Kanë arritur deri atje sa ti thonë SHBA që ti veri gishtin kokës tani dhe po mundohen të përhapin panik me gjëmat që na presin nga emigrantët politikë që vijnë për tu strehuar në Shqipëri, a thua se qeveria e Edi Ramës po mirëpret këtu talebanët dhe jo viktimat e tyre!

Nën shembullin e talebanëve, janë gati që të linçojnë këdo nga të vetët, që thotë të kundërtën e asaj që po mbrojnë me kaq zjarr këto ditë. Janë gati ti shpallin luftë virtualisht kujtdo që mbështet ardhjen e emigrantëve politikë afganë në Shqipëri për ti shpëtuar përndjekjes, pavarësisht se edhe ata ashtu si shqiptarët, besojnë po njëlloj tek vlerat e lirisë, barazisë, demokracisë dhe të drejtat e njeriut.

Ia kanë dalë që të masakrojnë me sukses edhe atë që e kishin deri para 3-4 muajsh, kandidatin e tyre për Kryministër në zgjedhjet e 25 prillit, vetëm e vetëm sepse përshëndeti ardhjen e grupit të afganëve në Shqipëri. Duke shkuar deri atje sa ta quajnë Lulzim Bashën, Kryetarin e tyre qoftë edhe ashtu formal në PD, si një tradhëtar e që duhet trajtuar njësoj si Edi Rama. Sikundër janë te ekzaltuar nga ana tjetër, që Presidenti i Republikës Ilir Meta, nuk ka folur ende asnjë fjalë për këtë çështje!

Por çfarëdo që bënë këto vitet e fundit, Sali Berishës dhe të vetëve, nuk i erdhi dot shpëtimi duke dalë jashtë sistemit politik të vendit. Sikundër edhe tani, çfarëdo që të thonë e çfarëdo që të bëjnë, nuk do u vijë dot shpëtimi as nga Afganistani dhe as nga talebanizmi.

Shqipëria nuk është Afganistan dhe as shqiptarët nuk janë talebanë. Ndaj çdo përpjekje për të hequr një paralele mes asaj që po ndodh këtë gusht në Kabul dhe asaj që pritet të ndodhë këtë shtator në Tiranë, është krejt e kotë. Për fat të mirë këtë radhë, nuk u duhet që të presin shumë, derisa “ta shohin me sytë e tyre katraurën”!