Rritja e ndjeshme e rasteve ditore të infektimeve me koronavirus ka shtuar frikën për një valë të katërt të pandemisë me ardhjen e vjeshtës dhe rikthim të masave shtesë kufizuese. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, duke e vlerësuar si delikate situatën e krijuar nga varianti Delta, thotë se shifrat vijojnë të mbeten poshtë niveleve që diktojnë nevojën e marrjes së masave shtrënguese. Lidhur me ecurinë e vaksinimit kundër Covid-19 gjatë muajit të hapur, Rakacolli ka këtë vlerësim: “Vumë re që ka një lloj hezitimi, në një kohë që ishim përgatitur që të kishim numër të madh vaksinimesh në ditë”.
Për zv.ministren, qytetarët nga Afganistani që pritet të vijnë së shpejti në vend, në aspektin epidemiologjik do të trajtohen njësoj si shqiptarët, duke mos lënë mënjanë as vaksinimin kundër Covid-19. Teksa njofton se Komiteti i Ekspertëve po shqyrton mundësinë për të vaksinuar fëmijët nën 18 vjeç, Rakacolli thotë se në rast sugjerimi nga grupi i specialistëve, vendimi do të miratohet nga Ministriae Shëndetësisë. Pas një periudhe në rënie, kurba e rasteve të infektimeve në vend ka nisur t’i rikthehet ngjitjes muajin e fundit, ku të rinjtë përbëjnë edhe pjesën më të konsiderueshme të rasteve të reja.