Shefja e Infektivit Najada Çomo ka dhënë detaje për situatën me të sëmurët në këtë spital. Çomo, e cila një ditë më parë la mandatin si deputete e zgjedhur në listat e PS, ka thënë se numri i të shtruarve është rritur. Sipas saj vihet re se numrin më të lartë të të sëmurëve e përbëjnë të pavaksinuarit dhe gjithashtu ka edhe mosha të reja. Çomo ka pritur ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në ambientet e Covid-3, i cili pritet të rihapet nëse mbushen kapacitetet e infektivit. “Numri ka ardhur duke u shtuar. Vihet re që kemi grupmosha të ndryshe, veçohet edhe moshat 20 vjeç e lart. Pjesa më e madhe e pacientëve të shtruar janë të pavaksinuar.

Është një element i rëndësishëm që të bëjmë thirrje për vaksinime. Rritja e numrit të rasteve na orienton që ato struktura që kanë punuar në Covid 3 kanë mbetur të gatshme. Shtohet stafi qoftë mjekë dhe infermierë do të punojnë,” tha Çomo. Manastirliu apeloi edhe njëherë që qytetarët të bëjnë vaksinën si armën e vete të shpëtimit, ndërsa theksoi se janë të përgatitur për çdo situatë. “Jemi të përgatitur për të përballuar çdo situatë. Presim të rihapim Covid-3 nëse mbushen kapacitetet.

Duhet të kuptojmë që parandalimi ka rolin e vet. Sot përveç maskës dhe higjienës është edhe vaksina që është arma shpëtuese,” u shpreh ministrja.