Marrëdhëniet ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim duket më të ngrira se kurrë. Demokratët nuk kanë pranuar që të ndajnë drejtimin e komisioneve parlamentare duke caktuar tre kryetarë dhe pesë nënkryetarë nga radhët e saj.
Zgjedhjet e 25 prillit nuk sollën ndryshim në drejtimin e vendit, por në drejtimin e opozitës. Ndryshe nga katër vite më parë, Lulzim Basha nuk kërkon të ndajë pushtetin e opozitës me Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Rregullorja e Kuvendit ka parashikuar se tre nga tetë komisionet e përhershme i drejton opozita. Ndryshe nga viti 2017 kur PD e la komisionin për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë nën drejtimin e LSI-së, këtë herë gjërat janë ndryshe. Lulzim Basha ka rezervuar për Partinë Demokratike të tre komisionet, Shëndetësinë, Integrimin dhe Median.
I sapofuturi në parlament, Agron Gjekmarkaj do të drejtojë Komisionin për Arsimin dhe mjetet e Informimit Publik, ndërsa Jorida Tabaku do të zëvendësojë ish-deputetin e PD-së, Genc Pollo në krye të Komisionit të Integrimit. Albana Vokshi do të jetë kryesuese e komisionit të Shëndetësisë që e ka drejtuar edhe në vitet 2013-2017.
Krahas drejtuesve, Basha nuk i ka lënë LSI-së as zëvendëskryetarët e Komisioneve. I vetmi post bosh për LSI është ai i zëvendëskryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme ku me ndryshimet që iu bënë rregullores së Kuvendit në vitin 2017, ky komision ka dy të tillë.
Bashkëpunimi parazgjedhor ndërmjet Bashës dhe Kryemadhi duket si një periudhë e largët. Demokratët në analizën e tyre për humbjen e zgjedhjeve fajësuan aleatët që nuk arritën të mblidhnin vota çka ka bërë që LSI të shihet me një sy tjetër.
Jeta parlamentare e LSI-së është e varur nga bashkëpunimi me PD-në, pasi forca e tretë parlamentare nuk ka numrat e nevojshëm në sallë për të formuar grupin e saj parlamentar dhe procedurialisht i duhen tre deputetë të tjerë në mënyrë që të bëhet pjesë e organeve më të larta të Kuvendit.(A2)