Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu ka mundur të identifikojë dhe intervistojë përmes telefonit njërin prej shumë përkthyesve afgan, që kanë asistuar misionet ushtarake shqiptare në Afganistan. Për arsye sigurie, ne nuk do të tregojmë identitetin e tij, por do ta quajmë Përkthyesi A. Nga Kabuli, fillimisht ai flet për bashkëpunimin me komandot shqiptare. “Unë kam ndihmuar forcat shqiptare. Miku im më mirë ka qenë kapiteni… Ne kemi punuar gjatë misionit të tij 6 mujor si pjesë e NATO-s. Ata ndihmuan shumë vendin tim Afganistanin. Tani që ata kanë ikur janë krijuar probleme të mëdha. Kur këtu ishte NATO shumë prej nesh përfshi mua u punësuam, u shkolluam, por gjithçka, ka ndryshuar. Kur NATO dhe misionet shqiptare ishin këtu, situata ishte krejt tjetër”.
I pyetur për rrezikun që i kanoset si një ish punonjës i NATOS-s Përkthyesi A tha: “Ne u punësuam në NATO për të mirën e familjeve tona për një jetë më të mirë e shkollim të fëmijëve tanë. Tani unë ndodhem i fshehur në Kabul. Kam ndërprerë çdo lidhje me familjen për mos t’i rrezikuar ata nga puna që kam bërë si përkthyes e më pas për shërbimin inteligjent të vendit tim. Në të shkuarën kur punonim për NATO-n, natyrisht ishim të fiksuar nga talebanët. Tani na duhet të fshihemi. Ata janë duke kërkuar për ne, që punuam për NATO-n apo Ushtrinë Amerikane, me qëllimin për të na vr arë. Nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse, meqë po më jepni këtë mundësi, të kërkoj ndihmën e popullit shqiptarë.
Më shumë se 20.000 prej nesh po përballen me rreziqe. Nuk i afrohemi dot aeroportit Hamit Karzai, pasi është i rrethuar me postblloqe talebanësh”. Për Top Channel Përkthyesi A tregon se çfarë e pret nëse do të zbulohet se ku fshihet dhe kapet nga Talebanët. “Ata po na kërkojnë, pasi na quajnë ‘djemtë e këqij’ sepse ne punuam për NATO-n. Ata nuk kanë mëshirë. Nuk do të na e falin pse ne u punësuam me NATO-n apo Ushtrinë Amerikane. Nuk do të kenë mëshirë për ne. Do të na v ras in. Asgjë tjetër”.
Përkthyesi afgan i misioneve shqiptare është kualifikuar për programin e vizave amerikane SIV, por shpjegon pamundësinë e marrjes së saj dhe largimin nga Afganistani. “Kam aplikuar për vizën SIV shumë kohë më parë. Intervista mu la për në datën 29 Gusht. Tani nuk e di çdo të ndodhë, pasi personeli ambasadës amerikane është evakuuar. Nuk kam asnjë ide çdo të ndodhë në të ardhmen”. Në kushtet e pamundësisë të marrjes së Vizës SIV, Përkthyesi A bën këtë apel përmes Top Channel. “Dua t’i kërkoj ndihmë popullit shqiptarë dhe ministrave tuaj. Ju lutem kuptojeni se në çfarë rreziku unë dhe kolegët e mi ndodhemi.
Talebanët kanë nisur kërkimet për ne. Do të na v ra sin. Ju lutem na ndihmoni. Do ju jemi mirënjohës për çdo ndihmë që qeveria shqiptare mund të na japë ne përkthyesve që kemi punuar me trupat tuaja në terren”.