Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) i dha të hënën miratimin e plotë vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit. Vaksina, e krijuar nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, është miratuar për përdorim emergjent qysh në dhjetor. Që atëherë, mbi 204 milionë njerëz vetëm në SHBA e kanë marrë atë. Kjo është vaksina e parë që merr miratimin e plotë nga FDA-ja për përdorim te personat mbi 16 vjeç.
SHBA-ja ka miratuar për përdorim emergjent edhe dy vaksina të tjera: Moderna dhe Johnson&Johnson. Zyrtarët e shëndetit publik shpresojnë se vendimi i fundit i FDA-së do t’i bindë më shumë amerikanë të pavaksinuar se vaksina Pfizer/BioNTech është e sigurt dhe efektive. “Miliona njerëz tashmë kanë marrë vaksinat kundër koronavirusit, por ne e dimë se për disa, miratimi i një vaksine nga FDA-ja mund të ngjallë besim shtesë për t’u vaksinuar”, tha Janet Woodcock, komisionare në detyrë e FDA-së. “Miratimi i kësaj vaksine është një moment historik”, shtoi ajo./REL/