Milani merr tri pikët e para të Serie A (2021-2022) falë golit të nënshkruar nga Brahim Diaz. Ekipi i Stefano Pioli konfirmon veten si një “makinë lufte” në transfertë, e rifillon me një fitore ndaj Sampdorias. Në fund të ndeshjes, trajneri i kuqezinjve analizoi ndeshjen në “Sky Sport”:
“Sampdoria luajti një ndeshje të mirë në fazën mbrojtëse. Diaz na dha epërsi për të provuar të ndërtonim. Më pëlqeu loja jonë: ritmi, dëshira për të kërkuar golin e dytë. Edhe nëse nuk do të kishim fituar, do të isha i kënaqur nga loja. Ne u përgatitëm mirë. Isha i sigurt se do të ishim gati dhe se do të gjenim një kundërshtar të vështirë. Fituam një ndeshje të vështirë, atë që na duhet për të vazhduar të rritemi”.
Pioli gjithashtu fokusohet në fituesin e ndeshjes, Brahim Diaz: “Të gjithë mendojnë për ndeshjen me Juventusin. Unë kisha bërë një zgjedhje më shumë në fazën mbrojtëse. Gjithmonë e kam llogaritur Brahim, sepse e konsideroj atë një lojtar cilësor. Ai është një djalë me shumë personalitet, që beson te vetja. Jemi një grup cilësor, ka shumë konkurrencë dhe kjo mund të bëjë vetëm mirë. Ata që duan të luajnë duhet të punojnë shumë, sepse të tjerët po shtyjnë me forcë”.
Trajneri i Milanit nuk fshihet dhe sqaron ambiciet e ekipit të tij: “Ishte mirë t’i gjeja tifozët përsëri. Ne e dinim që ata do të na mirëprisnin me entuziazëm. Duhet të vazhdojmë të demonstrojmë cilësitë tona dhe të luajmë me këtë shpirt. Ne kemi shumë mënyra për të luajtur, por shpirti do të bëjë ndryshimin. Kam në dispozicionin Milanin tim më të fortë. Edhe unë jam më i fortë se dy vite më parë, kur mbërrita në Milano.
Pothuajse të gjithë lojtarët e mi janë më të fortë. Jemi më të gatshëm, por të thuash se ku mund të arrijmë, kjo bëhet e vështirë, sepse ka kundërshtarë shumë të fortë si Inter dhe Juventus, Roma, Lazio, Atalanta, Napoli. Ka shumë ekuilibër. Ne kemi një ekip të fortë, do të jemi konkurrues. Për këtë na duhet të ruajmë frymën ekipore”.
Pioli e mbyll me merkaton dhe prurjet e tjera të mundshme në tetë ditët e fundit: “Unë nuk e di se si do të zhvillohet merkatoja. Menaxherët janë shumë aktivë dhe klubi prezent. Nëse mund ta përmirësojmë ekipin, do ta bëjmë. Jam shumë i kënaqur me ekipin që kam, të gjithë janë të gatshëm të përmirësohen dhe të punojnë së bashku me ide, disponueshmëri dhe dëshirë për të bërë mirë. Nëse një lojtar cilësor arrin, aq më mirë, por ne nuk jemi të lidhur me 4-2-3-1 ose module të tjera.
Sistemet janë të fiksuara në tabelë, pastaj ka hapësira në fushë për të shfrytëzuar sa më shumë karakteristikat e lojtarëve që ke në dispozicion. Edhe Romagnoli është turp ta lësh jashtë. Ai është kapiteni i këtij ekipi, është një lojtar shumë i mirë dhe po stërvitet me mjaft dëshirë. Ndoshta mund të luaj edhe me tre në mbrojtje, me rëndësi është disponibiliteti i të gjithë lojtarëve”.