I ndodhur përballë Ohrit dhe Strugës, 39 km larg Korçës, në breg të Liqenit të Ohrit dhe rrëzë malit të Thatë, qyteti i Pogradecit është një nga atraksionet më të bukur turistik të vendit, që mirëpret vizitorë në çdo stinë të viti.
Bashkia Pogradec bën të ditur se, vera në Pogradec është e mbushur me një numër të madh turistësh, por korriku i këtij viti ka sjellë vizitorë më shumë se kurrë, fluks që pritet të vijojë edhe gjatë muajit gusht.
Drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit, Kulturës dhe Rinisë, në Pogradec, Loridela Beqari, tha për ATSH-në se, këtë vit vetëm gjatë dy muajve të verës (qershor- korrik) zonën turistike të Pogradecit, e kanë frekuentuar mbi 8 mijë vizitorë, shifër kjo dyfish më e lartë se vitet e kaluar.
Sipas saj, zonat më të vizituara mbeten Prespa, Driloni, Tushemishti pa harruar liqenin e Ohrit që është perlë e papërsëritshme natyrore, klimatike, relaksuese dhe frymëzuese.
Pogradeci dhe rrethinat e tij, tashme janë shndërruar në një destinacion turistik, ku krahas investimeve në infrastrukturë përparësi po marrin investimet në bujtina, qendra akomodimi hoteleri dhe biznese turistike, që po i përgjigjen kërkesës gjithnjë e në rritje të fluksit të turistëve të huaj dhe atyre vendas një atraksion i përhershëm turistik për natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa Liqeni i jep hijeshinë.
Gjatë verës në brigjet e tij këtë vit pushuan rreth 200 mijë pushues pogradecar dhe të ardhur nga i gjithë vendi dhe bota.
Pogardeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin ti vizitosh.
Pogradeci ka një histori të lashtë dhe monumente kulturore, arkeologjike dhe natyrore. Gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar një vendbanim ilir të shekullit V para Krishtit, që i përket fiseve të lashta Desaret dhe Enkelejve.
Disa nga monumentet më interesante ku vizitori mund të qëndrojë janë: Rrënojat e një vendbanimi ilir dhe një kishë kristiane me mozaik shumëngjyrësh, që janë gjetur në fshatin piktoresk të Linit i cili ndodhet në brigjet e Liqenit të Ohrit.
Rruga Romake “Via Egnatia” kalon përmes rajonit, nga Ohri, përgjatë fshatrave të Mokrës dhe mbaron në detin Adriatik në Durrës, është një tjetër atraksion për turizmin historik.
Ura e Golikut (shek. XVII) ndërtuar mbi Lumin Shkumbin është gjurmë e kësaj rruge të vjetër romake.
Burime të shumta ujore përfshi burimet e Drilonit, ku uji i pastër dhe i kristaltë rrjedh në Lumin Drilon dhe më pas në liqen. Shpella të shumta dhe një kishë, ndodhen pranë Qafe-Thanës dhe kufirit me Maqedoninë.
Që nga kalaja e vjetër, liqeni dhe pamjet e maleve janë të mrekullueshme.
Kalaja e Pogradecit është e vendosur në majën e kodrës, në pjesën perëndimore të qytetit, me lartësi 205 m mbi nivelin e liqenit të Ohrit. Ka filluar të banohej që në shekullin V para Krishtit, ndërsa në shekullin IV para Krishtit u pajis me mure mbrojtëse.
Plazhi i Pogradecit është një plazh me rërë, ujë të pastër dhe mundësi për argëtime. Në Pogradec ka edhe disa plazhe të tjerë privatë e publikë, me rërë e guralecë të vegjël. Jashtë qytetit janë plazhet me ujë të kristaltë të Linit dhe Tushemishtit.
Katër kilometër në lindje të Pogradecit ndodhet edhe pika turistike e Drilonit. Pogradeci ofron shumë mundësi per turizëm ujor, malor dhe historik.